Nvidia ka njoftuar zyrtarisht rikthimin e Jensen Huang në drejtimin e kompanisë, duke e riemëruar në detyrën e Presidentit dhe Drejtorit Ekzekutiv (CEO), si dhe anëtar të Bordit të Drejtorëve.
Përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare, kompania bëri të ditur se Bordi i Drejtorëve ka votuar unanimisht në favor të rikthimit të Huang, pas një serie diskutimesh dhe takimesh me të.
Sipas deklaratës, pas këtyre konsultimeve, anëtarët e bordit u shprehën të kënaqur me transparencën e tij dhe aftësinë për të drejtuar Nvidia-n.
Në kuadër të procesit të vendimmarrjes, Bordi i Drejtorëve ka marrë gjithashtu mendime nga zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane. Bazuar në vlerësimet e tyre, bordi deklaron se është i bindur që rikthimi i Huang në krye të kompanisë nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve.
“Bordi i Drejtorëve beson se Jensen është personi i duhur për të drejtuar Nvidia-n dhe se rikthimi i tij është në interesin më të mirë të aksionarëve, punonjësve, partnerëve dhe klientëve tanë”, deklaroi Harvey C. Jones, kryetar i Bordit të Drejtorëve.
Jones konfirmoi se do të vijojë të mbajë detyrën e kryetarit të bordit, duke theksuar se kompania ka “besim të plotë te Jensen” dhe se mezi pret të bashkëpunojë me të në rikthimin e tij në krye të Nvidia-s.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për Colette Kress, e cila ka ushtruar përkohësisht detyrën e CEO-s, krahas përgjegjësive të saj të vazhdueshme si Drejtoreshë Financiare (CFO) e kompanisë.
Ndërkohë, në deklaratë sqarohet se hetimi lidhur me çështjen që ka përfshirë Huang dhe marrëdhënien e pretenduar të tij me Alice Huang, e dyshuar si spiune kineze, vijon të jetë i hapur./Tv Klan
