Ndërtimi në Shqipëri ka bërë një hap të madh në cilësi, por rruga drejt standardeve europiane kërkon më shumë se materiale të mira. Kërkon monitorim në kantier, ekspertë të certifikuar dhe një zinxhir ku çdo hallkë mban përgjegjësi. Ky ishte mesazhi kryesor i forumit “Ndërtim i sigurt, standardet, cilësia dhe rruga drejt integrimit në BE”, organizuar nga Instituti i Ndërtimit më 19 nëntor 2026, në Skenën Kryesore të Pallatit të Kongreseve, në kuadër të panairit ECGE 2026.
Në panel morën pjesë Persida Shkrepa, Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Ndërtimit; Prof. Dhimitër Papa, inxhinier ndërtimi dhe pedagog; Prof. Dr. Neritan Shkodrani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës; Prof. Dr. Armand Vokshi, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT; Nikolin Risilia, CEO i Hydro & Energy dhe President i SFPE Albania; dhe Erjon Harizi, Kryetar i Bordit të Shoqatës Shqiptare të Ndërtuesve (SHNSH). Diskutimin e moderoi Blendi Salaj.
Me Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, pyetja që përshkoi gjithë bisedën ishte e thjeshtë: sa gati jemi të ndërtojmë sipas standardeve të BE, dhe çfarë na mungon ende?

Cilësia e materialeve: “Nuk kemi asgjë për t’u pasur zili vendeve të tjera”
Prof. Dhimitër Papa nisi me lidhjen mes materialit dhe strukturës. Çdo element strukturor varët drejtpërdrejt nga cilësia e materialeve që e përbëjnë, qoftë betoni dhe hekuri në betonarme, qoftë çeliku, druri apo alumini. Kjo cilësi përcakton jo vetëm aftësinë mbajtëse, por edhe jetëgjatësinë e ndërtesës dhe reagimin e saj ndaj tërmeteve e faktorëve të tjerë.
Sipas tij, sot në Shqipëri përdoren materiale të cilësisë më të lartë. Çeliku është i klasës dhe duktilitetit maksimal, ndërsa betonet e klasave të ulëta janë zëvendësuar nga klasa shumë më të larta. Projektues dhe ndërtues të huaj, me të cilët ka bashkëpunuar, janë shprehur pozitivisht për cilësinë e ndërtimeve shqiptare.
Prof. Papa theksoi se cilësia nuk matet vetëm te skeleti: “Kur flasim për cilësinë e ndërtimit, të mos bazohemi vetëm te skeleti, pasi në cilësi ndikojnë edhe pllakat, suvatimet, detajet e interierit dhe fasada.” Përfundimi i tij ishte optimist: ndërtimet e fundit janë të një niveli që nuk ka asgjë për t’u pasur zili as rajonit, as vendeve europiane.
Ndërtuesit përballë tregut europian: “Standardi është e vetmja mënyrë për të mbijetuar”
Erjon Harizi e quajti forumin të parin e këtij lloji dhe theksoi se integrimi në BE nuk duhet t’i gjejë ndërtuesit të papërgatitur. Disa kompani kanë hedhur tashmë hapat e parë: investojnë në teknologji dhe burime njerëzore dhe bashkëpunojnë me projektues e specialistë të huaj.
Tregu i nesërmë, paralajmëroi ai, do të jetë më konkurrues dhe më i ashpër, sepse ndërtuesit shqiptarë do të konkurrojnë me firma me emër në Europë. “Standardi është ndoshta nesër e vetmja mënyrë që të rrish në treg dhe t’i mbijetosh një tregu që do të jetë global, jo lokal”, tha Harizi.
Hendeku më i madh, sipas tij, është mes projektimit dhe zbatimit. Standardizimi është një zinxhir që nis te projektuesi dhe vazhdon te ndërtuesi, nënkontraktori dhe mbikëqyrja. Ai solli një shembull konkret: mund të blesh materialin më të mirë të hidroizolimit, por nëse nënkontraktori nuk e monton si duhet, paraja shkon dhëm dhe uji futet pas disa vitesh.
Harizi vlerësoi se firmat më serioze sot janë ato që kanë punuar në projekte me financim të huaj ose nën mbikëqyrje të kompanive të huaja, një “gjimnastikë e mirë” për ndërtuesin shqiptar. Megjithatë, ndërtuesi është gjithmonë nën presionin e tre faktorëve: kostos, afatit dhe cilësisë. Ai kujtoi se një godinë projektohet për 50, 70 apo 100 vjet, ndaj ajo që sot duket si kosto, në të ardhmen kthehet në investim.

Arkitekti si dirigjent: siguria vjen e para
“Ndërtesat bëhen për njerëzit. Nuk bëhen as për ndërtuesit, as për projektuesit”, tha Prof. Dr. Armand Vokshi. Ai kujtoi parimin e Vitruvit, arkitektit të periudhës romake: arkitektura duhet të jetë në radhë të parë e qëndrueshme (firmitas), pastaj funksionale (utilitas) dhe në fund e bukur (venustas). Pra, siguria vjen para estetikës.
Arkitekti, sipas tij, luan rolin e dirigjentit. Ai hedh vizat e para, e lidh projektin me kërkesat ligjore dhe mban parasysh strukturën si pjesën e parë të sigurisë. Por siguria nuk mbaron te struktura. Ajo përfshin materialet në rast zjarri, evakuimin gjatë tërmeteve, deri te një kangjellë ballkoni e vendosur keq.
Një pikë që tërhoqi vëmendjen ishte siguria e atyre që ndërtojnë. Skelat, ngritja e kantierit dhe trajnimi i punëtorëve janë po aq pjesë e sigurisë sa projekti vetë. “Ne po flasim për jetë njerëzish që nga momenti që fillon kantieri e deri sa objekti ka jetëgjatësi”, theksoi Prof. Vokshi.
Ai e cilësoi tërmetin e disa viteve më parë si një shkundje për Shqipërinë, por edhe si një meritë për konstruktorët dhe grupet e projektimit e zbatimit. Në fund, të gjithë profesionistët largohen, dhe ndërtesa mbetet për njerëzit që do ta banojnë.

Zjarri: rreziku që nuk testohet dot
Nikolin Risilia solli një nga vërejtjet më të forta të panelit: “Zjarri është një gjë që nuk e teston dot, fatkeqësisht.” Një sistem mund të projektohet dhe të zbatohet shumë mirë, por nëse nuk mirëmbahet dhe nuk kontrollohet rregullisht sipas një protokolli, në momentin e zjarrit nuk kryen asnjë funksion.
Sipas tij, Shqipëria është zhvilluar shumë shpejt në ndërtim dhe mbrojtja nga zjarri nuk e ka ndjekur dot këtë ritm. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në botë, ku ndërtesat e larta dhe rrokaqiejt detyruan kalimin nga rregullat e shkruara (prescriptive) te projektimi i bazuar në performancë (performance-based design).
Boshllëku më i madh është te ekspertiza. Në Shqipëri nuk ka asnjë formim akademik për inxhinierinë e zjarrit. Punën e bëjnë arkitektë, inxhinierë hidroteknikë, mekanikë e strukturës, por pa një rrugë të rregulluar trajnimi dhe certifikimi. Risilia kërkoi një reformë të përgjithshme dhe theksoi se përafrimi me standardet europiane është hap i rëndësishëm, por nuk mjafton. Për godina komplekse si ndërtesat e larta, stadiumet apo teatrot, duhen studime të mirëfillta inxhinierike, të cilat sot mungojnë.
Persida Shkrepa shtoi se legjislacioni i ri për mbrojtjen nga zjarri ka sjellë tashmë ndryshime në kantier: shkallë emergjence, pozicionim të ashensorëve që të mos përhapet zjarri dhe hapësira shtesë për sigurinë. Kjo rrit koston e ndërtimit, por legjislacioni shqiptar po përafrohet me atë europian. “Sot është e pamundur të marrësh leje ndërtimi në qoftë se nuk zbatohet ky standard”, tha ajo.
Vizioni i Institutit të Ndërtimit: monitorim, laborator dhe inovacion
Persida Shkrepa e përshkroi Institutin e Ndërtimit si kryqëzimin dhe hallkën bazë të çdo ndërtimi, publik apo privat, në Shqipëri. Ajo rimori një frazë të Erjon Harizit: “Nuk mund të kemi standard ndërtimi nëse nuk kemi një institut ndërtimi që na standardizon.”
Cilësia, standardi dhe qëndrueshmëria janë themelet e punës së Institutit. Për të ardhmen, Shkrepa veçoi disa drejtime:
- Monitorimi në kantier. Ndërtimet e sotme janë shumë më cilësore se ato të dhjetë viteve më parë, por duhet verifikuar që materialet e aprovuara në lejen e ndërtimit po zbatohen realisht.
- Testet laboratorike. Instituti sapo është akredituar me 67 teste të reja laboratorike dhe sot ka një nga laboratorët me standardin më të lartë në vend.
- Metodat dhe pajisjet. Përmirësimi i mënyrës si kryhen akt-ekspertizat me pajisje të ndryshme.
- Inteligjenca artificiale. Përfshirja e AI në proceset më të mëdha të Institutit, si oponencat teknike.
Shkrepa kujtoi gjithashtu se ligji parashikon që ndërtesat 50-vjeçare të auditohen dhe, aty ku duhet, të ristrukturohen. Instituti do ta ndjekë këtë proces nga afër, për t’u siguruar që këto ndërtesa janë të sigurta. Po ashtu, përmes sallës së monitorimit, Instituti do të ndjekë në terren çdo projekt që merr leje ndërtimi.
“Inovacioni është e ardhmja e ndërtimit dhe fjala e fundit”, tha Shkrepa. Ajo i quajti panelistët partnerë të dukshëm dhe të padukshëm në rrugëtimin e saj si drejtuese e Institutit dhe e mbylli me motivin që e shtyn: “Kemi dëshirën të bëjmë maksimumin për të rritur cilësinë dhe kontrollin për vendin tonë, por në radhë të parë për familjet tona, për fëmijët tanë.”

Eurokodet dhe kostoja e sigurisë
Pjesa e dytë e diskutimit u fokusua te kodet e projektimit. Prof. Dr. Neritan Shkodrani foli për përpjekjet për zbatimin e eurokodeve strukturore, standardet e përbashkëta europiane të projektimit, dhe theksoi se vendi është në një fazë tranzicioni. Prof. Papa shtoi se eurokodet janë në proces adoptimi dhe se udhëzimet e Institutit kanë një rol të rëndësishëm në këtë kalim.
Prof. Dr. Shkodrani vlerësoi se gabimet në projektim sot janë pothuajse të pamundura, sepse në çdo projekt përfshihen një, dy apo tre inxhinierë ndërtimi, si dhe supervizorë. Në kantier mund të ndodhë ndonjë gabim, por rrallë.
Për ndërtesat e larta, Erjon Harizi vlerësoi se ndërtuesi shqiptar është i aftë, siç e dëshmojnë vepra si digat dhe hidrocentralet. Sfida kryesore është te projektimi, ku bashkëpunimi me specialistë të huaj po sjell vepra të rëndësishme. Eurokodet, u theksua në panel, janë garanci për këtë cilësi.
Erjon Harizi solli një shifër që ra në sy për koston e sigurisë: në vendet e BE, rreth 2 deri 4% e kostos së një projekti shkon për sigurinë, ndërsa certifikimi CE i produkteve kushton edhe më shumë. Mesazhi ishte i qartë: duhet të përgatitemi që tani. Sektorë të tjerë të ekonomisë po ecin drejt standardeve europiane, dhe për ndërtimin, që është në një periudhë rritjeje, kjo është një sfidë që prek gjithë ekonominë.
Panelistët ranë dakord edhe për rolin e Institutit përtej kontrollit. Ai mund të jetë nxitës i politikave në sektor dhe të hartojë udhëzime profesionale për standardizimin. Persida Shkrepa e përmblodhi këtë qasje me një fjali: “Të ndërtojmë pak dhe me cilësi.”
Mesazhet kryesore të panelit
- Cilësia e materialeve është rritur ndjeshëm. Ndërtimet e fundit në Shqipëri janë në nivel rajonal dhe europian, nga skeleti deri te fasada.
- Hendeku është te zbatimi, jo te materiali. Standardi është një zinxhir: projektues, ndërtues, nënkontraktor dhe mbikëqyrës. Mjafton një hallkë e dobët që materiali më i mirë të mos japi rezultat.
- Standardi do të jetë kushti për të mbetur në treg. Me integrimin në BE, ndërtuesit shqiptarë do të konkurrojnë me firma europiane.
- Siguria vjen para estetikës, dhe vlen edhe për punëtorët në kantier, jo vetëm për banorët.
- Zjarri kërkon ekspertë dhe mirëmbajtje. Shqipërisë i mungon formimi akademik dhe certifikimi i specialistëve të zjarrit. Legjislacioni i ri tashmë kushtëzon lejet e ndërtimit.
- Instituti i Ndërtimit është garantuesi i standardit. Monitorimi i çdo projekti në terren, auditimi i ndërtesave të vjetra, laboratori i akredituar me 67 teste të reja dhe inovacioni janë shtyllat e vizionit të tij.
- Kalimi te eurokodet është në proces, dhe kostoja e sigurisë duhet parë si investim për ndërtesa që do të qëndrojnë 50 deri 100 vjet.
Forumi tregoi se sektori i ndërtimit në Shqipëri ka edhe arritje, edhe detyra të hapura. Mesazhi i përbashkët i panelistëve ishte se standardi nuk është një barrë burokratike, por garancia që ndërtesat e sotme të jenë të sigurta për brezat që do t’i banojnë.
