Muçi, asistenti virtual i Administratës Tatimore, duket se po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e tatimpaguesve shqiptarë, të cilët po i drejtohen për të marrë informacion dhe përgjigje lidhur me detyrimet tatimore, procedurat dhe shërbimet që ofron institucioni.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm gjatë 30 ditëve të fundit, asistenti virtual ka regjistruar 6,551 pyetje nga përdoruesit, duke u kthyer në një kanal të ri komunikimi ndërmjet administratës dhe tatimpaguesve.
Sipas statistikave zyrtare, gjatë kësaj periudhe Muçi është përdorur nga 1,065 përdorues, të cilët kanë zhvilluar gjithsej 1,637 biseda me asistentin digjital.
Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se mesatarisht çdo përdorues ka drejtuar mbi 6 pyetje, ndërsa në çdo bisedë janë regjistruar rreth 4 pyetje. Rezulton se Muçi ka marrë mesatarisht rreth 218 pyetje në ditë, ose afërsisht 9 pyetje në orë.
Interesi për asistentin virtual tregon se tatimpaguesit po shfrytëzojnë kanalet digjitale për të kërkuar informacion, pa qenë e nevojshme t’u drejtohen fizikisht sporteleve të administratës apo të presin përgjigje përmes formave tradicionale të komunikimit.
Muçi është konceptuar si një instrument për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe bizneset, duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë për orientimin e tyre në çështjet tatimore.
Për të nisur komunikimin me asistentin virtual, përdoruesit mund të aksesojnë faqen zyrtare të Administratës Tatimore, www.tatime.gov.al, ku shërbimi parashikon identifikimin përmes llogarisë në e-Albania.
Administrata Tatimore e prezanton Muçin si një shërbim që synon ta bëjë informacionin më të aksesueshëm dhe komunikimin më të thjeshtë për tatimpaguesit.
Megjithatë, statistikat e publikuara pasqyrojnë numrin e përdoruesve, bisedave dhe pyetjeve, por nuk japin të dhëna mbi natyrën e problematikave të ngritura, saktësinë e përgjigjeve apo nivelin e kënaqësisë së tatimpaguesve me shërbimin./ekofin.al
