Shpopullimi dhe emigrimi mbeten shqetësimet më të mëdha të shqiptarëve, duke u thelluar edhe më shumë gjatë vitit 2026, në një kohë kur në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor perceptimi për këtë problem është zbutur lehtë. Sipas anketës SecuriMeter 2026, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), niveli i shqetësimit për largimin e popullsisë në Shqipëri ka arritur në 8,7 pikë nga 10 të mundshme, nga 8,3 pikë në vitin 2025.
Shqipëria regjistron nivelin më të lartë të shqetësimit për këtë fenomen ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Mesatarja rajonale është 7,5 pikë, me një ulje të lehtë nga 7,6 pikë një vit më parë. Kështu, diferenca mes Shqipërisë dhe rajonit është zgjeruar nga 0,7 në 1,2 pikë brenda një viti.
Të dhënat e anketës tregojnë gjithashtu se shqetësimi i shqiptarëve është rritur për një sërë problemesh të tjera, nga siguria në rrugë dhe krimi i organizuar te funksionimi i institucioneve dhe të drejtat demokratike. Në disa prej këtyre treguesve, Shqipëria ka kaluar nga një nivel shqetësimi më i ulët se mesatarja rajonale në vitin 2025, në një nivel më të lartë gjatë vitit 2026.

Siguria rrugore, rritja më e fortë e shqetësimit
Një nga ndryshimet më të dukshme lidhet me sigurinë rrugore. Në vitin 2026, niveli i shqetësimit të shqiptarëve për sigurinë e ulët në trafik ka arritur në 8,1 pikë, nga 7,2 pikë në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 0,9 pikësh.
Kjo prirje bie në kontrast me rajonin, ku treguesi ka zbritur nga 7,4 në 7,2 pikë. Shqipëria rezulton vendi me nivelin më të lartë të shqetësimit për sigurinë rrugore, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me nga 7,5 pikë, ndërsa Kosova regjistron nivelin më të ulët, me 6 pikë.
Edhe siguria e ndërtimeve është një shqetësim më i madh në Shqipëri sesa në vendet e tjera të rajonit. Ky tregues vlerësohet me 7,5 pikë, kundrejt mesatares rajonale prej 6,5 pikësh. Shqipëria kryeson edhe për këtë kategori, megjithëse tabela nuk jep të dhëna krahasuese për vitin 2025.
Krimi kibernetik dhe dezinformimi, shqetësime të larta
Në fushën e sigurisë digjitale, Shqipëria regjistron nivelin më të lartë të shqetësimit për krimin kibernetik dhe mashtrimet online, me 8 pikë nga 10, kundrejt mesatares rajonale prej 7 pikësh.
Pas Shqipërisë renditet Serbia me 7,5 pikë, ndërsa Kosova regjistron nivelin më të ulët, me 5,8 pikë. Kjo diferencë tregon se rreziqet e lidhura me aktivitetin online perceptohen si një problem veçanërisht serioz nga qytetarët shqiptarë.
Po ashtu, dezinformimi dhe lajmet e rreme vlerësohen me 7,6 pikë në Shqipëri, kundrejt 7 pikëve në rajon. Serbia regjistron nivelin më të lartë për këtë tregues, me 8 pikë.
Sipas të dhënave më të detajuara të RCC-së, 82,6% e të anketuarve në Shqipëri shprehin shqetësim për krimin kibernetik dhe mashtrimet online, ndërsa 87,3% për dezinformimin dhe lajmet e rreme. Në nivel rajonal, këto përqindje janë përkatësisht 70,1% dhe 72,2%.
Rritet shqetësimi për drejtimin politik, demokracinë dhe krimin e organizuar
Ndryshime të rëndësishme vërehen edhe në perceptimin e shqiptarëve për funksionimin e institucioneve dhe zhvillimet politike.
Shqetësimi për qeverisjen dhe drejtimin politik është rritur nga 6,7 pikë në vitin 2025 në 7,3 pikë në vitin 2026. Në të njëjtën periudhë, mesatarja rajonale ka pësuar një ulje të lehtë, nga 7,1 në 7 pikë.
Një diferencë edhe më e fortë shfaqet në perceptimin për dobësimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, ky tregues është rritur nga 6,4 në 7,2 pikë, ndërsa në rajon ka rënë nga 6,9 në 6,6 pikë. Kjo do të thotë se, brenda një viti, Shqipëria ka kaluar nga një nivel shqetësimi 0,5 pikë nën mesataren rajonale, në 0,6 pikë mbi të.
Edhe krimi i organizuar paraqet një zhvillim të ngjashëm. Në Shqipëri, niveli i shqetësimit është rritur nga 7,1 në 7,3 pikë, ndërsa në rajon është ulur nga 7,2 në 6,8 pikë. Për vitin 2026, vetëm Serbia ka një nivel pak më të lartë shqetësimi për këtë fenomen, me 7,4 pikë.
Ndërkohë, paqëndrueshmëria politike vlerësohet me 7,1 pikë në Shqipëri, kundrejt 6,8 pikëve në rajon.
Punonjësit e huaj dhe ndërhyrjet e jashtme, rritje e shqetësimit
Një tjetër zhvillim lidhet me perceptimin për imigracionin dhe punonjësit e huaj. Në Shqipëri, niveli i shqetësimit është rritur nga 5,3 pikë në vitin 2025 në 6,3 pikë në vitin 2026.
Megjithëse mbetet nën mesataren rajonale prej 6,8 pikësh, rritja prej një pike brenda vitit tregon se kjo çështje po merr më shumë vëmendje nga të anketuarit shqiptarë. Në rajon, ndryshimi ka qenë shumë më i vogël, nga 6,7 në 6,8 pikë.
Rritje e ndjeshme vërehet edhe për ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme, ku Shqipëria kalon nga 5,3 në 6,4 pikë, ndërsa mesatarja rajonale mbetet e pandryshuar në 6,7 pikë.
Nga ana tjetër, shqiptarët vazhdojnë të shfaqin shqetësim më të ulët se mesatarja rajonale për tensionet etnike dhe terrorizmin. Tensionet etnike vlerësohen me 4,6 pikë në Shqipëri, kundrejt 5,9 pikëve në rajon, ndërsa terrorizmi me 4,9 pikë, kundrejt 5,3 pikëve./ekofin.al
