Nga Roland Bardhi*
Miratimi i Ligjit nr. 111/2026 për Treguesit Gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale krijon një mundësi të re për Shqipërinë per kalimin nga mbrojtja kryesisht tradicionale dhe kulturore e produkteve me identitet territorial, drejt një sistemi formal që mund t’u japë atyre njohje ligjore, reputacion tregtar dhe vlerë të shtuar ekonomike.
Ligji nr. 111/2026 përcakton një kuadër të posaçëm për regjistrimin, administrimin, mbrojtjen dhe kontrollin e treguesve gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale. Ai përafron Rregulloren (BE) 2023/2411 dhe Direktivën 2004/48/KE për zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Rëndësia e këtij ligji nuk qëndron vetëm te mbrojtja e emrit të një produkti. Ai mund të shërbejë si instrument për të lidhur trashëgiminë artizanale, aftësitë tradicionale, burimet lokale dhe identitetin e një territori me zhvillimin e ndërmarrjeve, punësimin dhe promovimin e produkteve shqiptare në tregje më të gjera.
Risitë dhe Koncepti i Ligjit. Ligji i ri sjell një strukturë të qartë juridike për njohjen, regjistrimin dhe mbrojtjen e origjinës gjeografike të produkteve artizanale dhe industriale. Përmes tij, përcaktohen qartë kriteret se kur një produkt lidhet në mënyrë të pandashme me cilësinë, karakteristikat ose reputacionin e një zone të caktuar gjeografike në Shqipëri (qoftë ky një qilim tradicional, punim filigani, veshje popullore apo prodhim specifik rajonal). Kjo i jep fund pasigurisë juridike dhe krijon një mekanizëm zyrtar mbrojtjeje pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI).
Për prodhuesit shqiptarë, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe artizanët, ky ligj mund të shërbejë si instrument për diferencimin e produkteve në treg, forcimin e reputacionit dhe rritjen e vlerës së shtuar.
Bazuar në traditën zejtare dhe industrialo-natyrore të Shqipërisë, jane nje numer I madh produktesh qe mund te perfitojne nga ky ligj si:
• Punimet e metaleve të çmuara dhe bakrit: Filigrani i Shkodrës dhe i Krujës dallojnë për teknikën e lashtë të përpunimit të argjendit me dorë, apo enët e bakrit të Beratit dhe Gjirokastrës qe kanë reputacion historik për gdhendjen dhe kallajisjen tradicionale.
• Tekstile, qilima dhe veshje tradicionale: Qilimat dhe sexhadet e leshit të punuar në tezgjah (veçanërisht në zonat e Korçës, Kukësit, Tropojës dhe Krujës) qe dallohen për motivet gjeometrike karakteristike dhe ngjyrosjen me bimë natyrale. Këtu hyjnë edhe qeleshet (plisat) e Krujës dhe Tiranës, xhubleta e Malësisë së Madhe (e njohur edhe nga UNESCO), si dhe punimet e mëndafshit dhe pambukut të Shkodrës.
• Punimet e gurit dhe mermerit. Guri i gdhendur i Gjirokastrës dhe Beratit është i njohur për përdorimin arkitektonik dhe dekorativ, por edhe mermeri i Tomorrit dhe guri dekorativ i Beratit (Skraparit) kanë cilësi të veçanta gjeologjike të lidhura ngushtë me territorin.
• Punimet e drurit dhe qeramikës. Gdhendjet e drurit të Dibrës, Korçës dhe Gjirokastrës (tavanet e gdhendura, sënduqet dhe objektet shtëpiake) mbartin mjeshtëri të trashëguar brez pas brezi. Po ashtu, qeramika dhe poçeria e Farkës (Tiranë) dhe e Kavajës shquhen për përpunimin tradicional të argjilës lokale.
• Instrumentet muzikore tradicionale. Lahuta e Malësisë dhe çiftelia/sharkia e Veriut përfaqësojnë produkte artizanale me lidhje të fortë kulturore dhe gjeografike, ku përzgjedhja e drurit lokal dhe akustika varen drejtpërdrejt nga tradita e mjeshtërve vendas.
Mundësitë dhe perfitimet që ofron ligji.
Një nga mundësitë më të rëndësishme është që produktet artizanale dhe industriale shqiptare të mos vlerësohen vetëm për funksionin apo cilësinë e tyre, por edhe për lidhjen që kanë me një territor të caktuar, me traditën, mjeshtërinë dhe reputacionin e krijuar ndër vite. Në këtë kuptim, treguesit gjeografikë mund të krijojnë disa përfitime konkrete:
Së pari, mbrojtje ligjore dhe identitet tregtar. Regjistrimi i një treguesi gjeografik mund të mbrojë emrin e produktit nga përdorimi i paautorizuar, imitimi dhe paraqitja e produkteve të tjera si produkte të së njëjtës origjinë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për produktet që kanë fituar reputacion për shkak të teknikave tradicionale, materialeve specifike ose aftësive të mjeshtërve të një zone.
Së dyti, rritje e vlerës ekonomike. Një produkt i identifikuar dhe i mbrojtur për origjinën e tij mund të diferencohet nga produktet industriale të zakonshme. Kjo krijon mundësi për pozicionim në segmente tregu me vlerë më të lartë, përmirësim të imazhit tregtar dhe rritje të potencialit të eksportit. Megjithatë, regjistrimi nuk garanton automatikisht çmime më të larta; kjo kërkon edhe cilësi të qëndrueshme, marketing dhe kërkesë nga konsumatorët.
Së treti, zhvillim i ekonomisë lokale dhe ruajtje e trashëgimisë. Mbrojtja e produkteve tradicionale mund të krijojë stimuj për vazhdimin e profesioneve dhe teknikave që rrezikojnë të zhduken. Ajo mund të mbështesë zejtarët, ndërmarrjet e vogla, punësimin dhe transmetimin e njohurive nga një brez te tjetri. Gjithashtu, produktet me identitet territorial mund të integrohen në ofertën e turizmit kulturor dhe në itineraret e përvojave lokale.
Në këtë kuadër, Shqipëria ka potencial për të identifikuar produkte që mund të vlerësohen përmes këtij mekanizmi, si punimet tradicionale të drurit, tekstilet dhe qilimat artizanalë, punimet e argjendit dhe filigranit, qeramika, punimet në gur dhe produkte të tjera të lidhura me traditën e një zone. Këto janë mundësi për t’u studiuar, jo produkte që kualifikohen automatikisht për regjistrim.
Pengesat dhe sfidat e zbatimit
Pavarësisht mundësive, zbatimi i ligjit mund të përballet me disa vështirësi që duhen trajtuar që në fazën e parë.
Një sfidë e rëndësishme është dokumentimi i lidhjes së produktit me territorin. Nuk mjafton që një produkt të jetë tradicional ose të prodhohet prej kohësh në një zonë. Duhet të provohet se cilësia, reputacioni ose karakteristikat e tij lidhen në mënyrë thelbësore me origjinën gjeografike dhe se përmbushen kushtet ligjore për regjistrim. Kjo kërkon dokumentim historik, teknik dhe, sipas rastit, prova të veçorive të materialeve dhe metodave të prodhimit.
Një problem tjetër është fragmentimi i prodhuesve. Në shumë zona, prodhimi artizanal realizohet nga individë, familje ose punishte të vogla, të cilat nuk kanë traditë bashkëpunimi. Por një tregues gjeografik nuk duhet të jetë pronë tregtare e një prodhuesi të vetëm; ai duhet të përfaqësojë një produkt dhe një reputacion të përbashkët territorial. Mungesa e organizimit kolektiv mund ta vështirësojë përgatitjen e aplikimit dhe menaxhimin e emrit pas regjistrimit.
Një sfidë tjetër lidhet me standardet dhe kostot. Përcaktimi i specifikimeve të produktit, dokumentimi i metodave të prodhimit, verifikimi i përputhshmërisë dhe mbrojtja e emrit kërkojnë kapacitete teknike dhe financiare. Prandaj, specifikimet duhet të garantojnë autenticitetin dhe cilësinë, pa eliminuar karakterin krijues dhe tradicional të produktit.
Një problem me rëndësi është edhe kapaciteti institucional. Regjistrimi është vetëm një pjesë e procesit. Sistemi duhet të jetë në gjendje të shqyrtojë aplikimet, të administrojë regjistrin, të verifikojë respektimin e specifikimeve dhe të reagojë ndaj përdorimit të paligjshëm të emrave të mbrojtur, përfshirë në tregtinë elektronike.
Përvoja e kuadrit të BE-së tregon se procesi kërkon bashkëpunim ndërmjet prodhuesve, përgatitje të specifikimeve të produktit dhe mekanizma kontrolli edhe pas regjistrimit.
Çfarë duhet të bëjnë institucionet?
Që ligji të mos mbetet vetëm një instrument formal, institucionet duhet të ndërmarrin një sërë veprimesh të koordinuara.
1. Të identifikojnë produktet me potencial. Hapi i parë duhet të jetë krijimi i një inventari kombëtar të produkteve artizanale dhe industriale që mund të plotësojnë kriteret për tregues gjeografik. Ky proces duhet të përfshijë bashkitë, institucionet e trashëgimisë kulturore, organizatat e biznesit, zejtarët dhe ekspertët e fushës.
2. Të krijojnë mbështetje teknike për aplikuesit. Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, duhet të ofrojë udhëzime praktike për përgatitjen e aplikimeve, dokumentimin e origjinës, përcaktimin e zonës gjeografike dhe hartimin e specifikimeve të produktit.
3. Të sigurojnë funksionimin e mekanizmave të kontrollit. Duhet të përcaktohen qartë autoritetet përgjegjëse, procedurat e verifikimit dhe kapacitetet për monitorimin e tregut. Mbrojtja ligjore ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me mundësinë reale për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet.
4. Të mbështesin financiarisht prodhuesit. Përgatitja e dokumentacionit, studimet historike dhe teknike, analizat dhe promovimi mund të jenë të kushtueshme për prodhuesit e vegjel. Prandaj, duhet të shqyrtohen skema mbështetëse përmes programeve të zhvillimit të SME-ve, turizmit, kulturës dhe zhvillimit territorial.
5. Të integrojnë treguesit gjeografikë në politikat e zhvillimit. Ky instrument nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje e pronësisë industriale. Ai duhet të lidhet me politikat e zhvillimit lokal, turizmit kulturor, ekonomisë krijuese, promovimit të eksporteve dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla.
Një çështje tjetër që kërkon vëmendje është përcaktimi i rrugës së mbrojtjes në tregun evropian. Rregullorja (BE) 2023/2411 lejon që prodhuesit ose autoritetet e vendeve jashtë BE-së të paraqesin aplikime drejtpërdrejt pranë EUIPO-s, sipas kushteve të përcaktuara. Për këtë arsye, institucionet shqiptare duhet t’u japin prodhuesve informacion të qartë mbi dallimin ndërmjet regjistrimit kombëtar dhe mbrojtjes në nivel të BE-së.
Çfarë duhet të bëjnë prodhuesit?
Suksesi i këtij ligji nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve. Prodhuesit duhet të bëhen aktorët kryesorë të procesit.
Në radhë të parë, ata duhet të organizohen në grupe ose struktura bashkëpunimi, duke krijuar një interes të përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e produktit. Një organizim i tillë do të mundësonte ndarjen e kostove, përgatitjen e dokumentacionit dhe administrimin e përbashkët të treguesit gjeografik.
Së dyti, prodhuesit duhet të dokumentojnë historinë, origjinën, karakteristikat dhe metodat tradicionale të prodhimit. Njohuritë që shpesh transmetohen vetëm në mënyrë gojore duhet të dokumentohen dhe të kthehen në një bazë të qartë për përcaktimin e specifikimeve të produktit.
Së treti, ata duhet të angazhohen për ruajtjen e cilësisë dhe respektimin e rregullave të përbashkëta të prodhimit. Regjistrimi i treguesit gjeografik nuk duhet të përdoret vetëm si mjet marketingu, por si angazhim për autenticitetin dhe cilësinë e produktit.
Së fundi, prodhuesit duhet të investojnë në promovim, paketim, prezantim dhe kanale të reja shitjeje. Një emër i mbrojtur ka vlerë ekonomike vetëm kur njihet nga konsumatori dhe kur lidhet me një ofertë tregtare të besueshme.
Si perfundim mund te thuhet se Ligji nr. 111/2026 përbën një mundësi për ta trajtuar trashëgiminë artizanale dhe industriale shqiptare jo vetëm si pjesë të identitetit kulturor, por edhe si një burim potencial të zhvillimit ekonomik. Ai krijon bazën për mbrojtjen e produkteve që kanë fituar karakteristika dhe reputacion të lidhur me një territor, duke u dhënë prodhuesve një instrument të ri për diferencim dhe konkurrueshmëri.
* Roland Bardhi, ekspert i zhvillimit rural dhe për treguesit gjeografikë
