Apple do të prezantojë modelin e saj më të ri të iPhone më 9 shtator dhe pritet gjerësisht që bëhet fjalë për një telefon të palosshëm me emrin “iPhone Ultra”.
Ky do të jetë hyrja e parë e gjigantit teknologjik në tregun e telefonave të palosshëm. Modeli i ri do të pajiset me dy ekrane: një ekran të brendshëm 19.8 centimetra, që mund të hapet si një libër, dhe një ekran të jashtëm 13.5 centimetra për përdorim më tipik si smartphone.
Pajisja do të ketë gjithashtu katër kamera — dy në pjesën e pasme, një në pjesën e brendshme dhe një kamerë të përparme për selfie.
iPhone Ultra pritet gjithashtu të pajiset me procesorin më të fundit të Apple, A20 Pro, i cili parashikohet të jetë 18% më i shpejtë dhe të konsumojë 30% më pak energji se paraardhësi i tij, A19 Pro. Ky procesor pritet të përdoret edhe në modelet e ardhshme premium iPhone 18 Pro dhe Pro Max.
Ka gjithashtu zëra se iPhone Ultra do të ketë qoshe asimetrike, pasi imazhe të mbrojtësve të ekranit të publikuara më herët gjatë këtij viti tregonin qoshe me kënd të drejtë në anën e majtë dhe qoshe të rrumbullakosura në të djathtë.
Samsung aktualisht dominon tregun e telefonave të palosshëm, ndërsa konkurrentë si Huawei, Google dhe Motorola ofrojnë gjithashtu një sërë alternativash.
Analistët presin që Apple të marrë një pozicion dominues në treg sapo të hyjë me iPhone Ultra deri në fund të vitit. Kompania konsiderohet e pozicionuar mirë për këtë, falë përvojës së gjatë me softuerin për shumë dritare dhe ekrane të mëdha në iPad dhe pajisje të tjera.
Kompania e inteligjencës së tregut International Data Corporation (IDC) parashikon se Apple do të shesë më shumë se 10 milionë njësi gjatë vitit të parë.
Çmimi i modelit bazë pritet të variojë nga 2,200 deri në 2,500 euro, ndërsa versionet me kapacitet më të madh ruajtjeje mund të kushtojnë nga 2,600 deri në 3,000 euro.
Eventi do të shënojë gjithashtu një moment të rëndësishëm për kompaninë, pasi do të jetë dalja e parë publike e CEO-së së ardhshëm, John Ternus, i cili do të drejtojë prezantimin.
Ish-zëvendëspresidenti i lartë për inxhinierinë e pajisjeve do të marrë zyrtarisht drejtimin nga CEO-ja në largim, Tim Cook, më 1 shtator.
Në këtë event pritet gjithashtu të prezantohen Apple Watch Series 12 dhe Apple Watch Ultra, iPad mini 8, AirPods Pro, si dhe përditësime për Apple TV dhe HomePod mini./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
