Nga Edmond Panariti
Projektligji i ri “Për Agjencinë Shtetërore të Pronës” i cili paraqitet si një reformë për të zhbllokuar tregun e pronës, në fakt është një mekanizëm që rrezikon të shkatërrojë themelet e sigurisë juridike në Shqipëri.
Dispozita që lejon shitjen e pronave me mbivendosje pas 30 ditësh, nëse gjykata nuk ka vendosur bllokimin, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj pronarëve të ligjshëm dhe një ftesë e hapur për spekulantët.
Afati 30 ditor është një iluzion.
Në një sistem gjyqësor të mbingarkuar, marrja e një mase sigurimi brenda kësaj kohe është praktikisht e pamundur. Rezultati është i qartë: pronarët e ligjshëm humbasin pronën, ndërsa spekulantët përfitojnë nga boshllëqet procedurale. Nuk bëhet fjalë për përshpejtim i procesit, por për një rrugë të hapur drejt padrejtësisë.
Lejimi i shitjes së pronave me mbivendosje në fakt e zhvendos epiqendren tek blerësi final, i cili shpallet “blerës i mirëbesuar” dhe mbrohet ligjërisht, ndërsa pronari i vërtetë mbetet i zhveshur nga e drejta reale.
Çështja e tij reduktohet në një kërkesë për dëmshpërblim, shpesh të vonuar dhe të paplotë. Ky është një mekanizëm që legalizon mashtrimin dhe e kthen pronën në një lojë të rrezikshme.
Bankat dhe noterët, që përfaqësojne shtyllat e transaksioneve të sigurta, do të paralizohen.
Sepse asnjë bankë nuk do të pranojë si kolateral një pronë me shënim mbivendosjeje, ndërsa noterët do të përballen me dilema mbi përgjegjësinë ligjore.
Rezultati është një treg i bllokuar, ku askush nuk guxon të investojë dhe askush nuk merr kredi.Ky projektligj nuk është thjesht një reformë teknike. Ai është një goditje ndaj besimit qytetar, një rrezik për stabilitetin social dhe një burim i ri konflikti gjyqësor.
Në vend që të zgjidhë problemin e mbivendosjes, ai e zhvendos barrën tek qytetarët, duke i lënë ata të pambrojtur përballë një sistemi të paefikas.Nëse miratohet, ky ligj nuk do të sjellë siguri, por do të prodhojë një krizë të re pronësore, ku e drejta humbet dhe padrejtësia bëhet normë. Ky është momenti për ta parë me sy kritik dhe për ta refuzuar si një projekt që godet themelet e shtetit të së drejtës.
