Ministria e Financave ka nisur procedurat për emetimin e Eurobondit të tetë të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, duke hapur dy procese përzgjedhjeje: një për kompaninë që do të ofrojë konsulencën ligjore dhe një tjetër për bankat ndërkombëtare që do të organizojnë dhe drejtojnë emetimin e borxhit. Sipas dokumenteve që disponon ekofin.al, qeveria synon të sigurojë rreth 650 milionë euro përmes një Eurobondi të ri në vitin 2027, ndërsa në vitin 2028 parashikohet mundësia e sigurimit të deri në 300 milionë eurove të tjera përmes rihapjes së të njëjtit instrument.
Nëse realizohen të dyja operacionet sipas vlerave të parashikuara, Shqipëria mund të sigurojë deri në 950 milionë euro financim nga tregjet ndërkombëtare përgjatë dy viteve. Megjithatë, realizimi i transaksioneve do të varet nga nevojat e financimit të buxhetit dhe kushtet e tregjeve financiare.
Ministria kërkon këshilltar ligjor, fondi limit rreth 25.8 milionë lekë për dy operacionet
Hapi i parë lidhet me përzgjedhjen e një kompanie ndërkombëtare konsulence ligjore, e cila do të asistojë Ministrinë e Financave në përgatitjen, negocimin dhe realizimin e Eurobondit të vitit 2027, si dhe në rihapjen e mundshme të tij gjatë vitit 2028.
Sipas dokumentit të kërkesës për propozime, Ministria ka përcaktuar një fond limit prej 15,389,290 lekësh, pa TVSH, për konsulencën ligjore të emetimit të vitit 2027.
Ndërkohë, për konsulencën që do të nevojitej në rast të rihapjes së Eurobondit në vitin 2028, fondi limit është përcaktuar në 10,460,075 lekë, pa TVSH.
Në total, vlera e parashikuar për të dyja shërbimet arrin në 25,849,365 lekë pa TVSH.
Kompania që do të përzgjidhet duhet të ketë ekspertizë në legjislacionin anglez dhe atë federal amerikan për letrat me vlerë, pasi emetimi synon investitorë në tregjet e Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe tregje të tjera ndërkombëtare.
Këshilltari ligjor do të ketë përgjegjësi për shqyrtimin e kuadrit rregullator, përgatitjen e prospektit të emetimit, verifikimin e informacionit financiar dhe ligjor, si dhe negocimin e marrëveshjeve me bankat ndërkombëtare që do të marrin pjesë në transaksion.
Konsulenti do të asistojë gjithashtu në procedurat e listimit të obligacioneve në bursë dhe në përmbushjen e detyrimeve ligjore pas emetimit.
Kërkohet kompani me të paktën shtatë vite përvojë dhe ekip prej pesë ekspertësh
Dokumentacioni përcakton kritere të posaçme profesionale për kompanitë që synojnë të marrin këtë kontratë.
Operatorët ekonomikë duhet të kenë të paktën shtatë vite përvojë aktive në fushën e konsulencës ligjore dhe të provojnë realizimin e shërbimeve të ngjashme gjatë tre viteve të fundit.
Gjithashtu, kërkohet një ekip prej pesë ekspertësh, i përbërë nga një drejtues projekti, dy ekspertë të nivelit të lartë dhe dy ekspertë mbështetës.
Drejtuesi i ekipit duhet të ketë të paktën shtatë vite përvojë në konsulencën ligjore të këtij lloji, ndërsa ekspertët e tjerë duhet të plotësojnë kërkesat përkatëse të përvojës dhe kualifikimit.
Hapet edhe gara për bankat që do të drejtojnë emetimin e 650 milionë eurove
Paralelisht me përzgjedhjen e këshilltarit ligjor, Ministria e Financave ka nisur procedurën për përzgjedhjen e bankave ndërkombëtare që do të veprojnë si Joint Lead Managers, pra organizatore dhe drejtuese të përbashkëta të emetimit të Eurobondit.
Sipas dokumentit të dytë, të siguruar nga ekofin.al, Shqipëria synon të emetojë në vitin 2027 një Eurobond me vlerë rreth 650 milionë euro dhe maturim nga 5 deri në 10 vite.
Emetimi do të realizohet në monedhën euro dhe do të shërbejë për mbulimin e nevojave të ardhshme të financimit të qeverisë.
Bankat që do të përzgjidhen do të këshillojnë Ministrinë për momentin më të përshtatshëm të daljes në treg, normën e interesit, yield-in, afatin e maturimit dhe strukturën e shlyerjes së borxhit.
Ato do të jenë përgjegjëse edhe për identifikimin e investitorëve ndërkombëtarë, organizimin e takimeve prezantuese me investitorët, administrimin e procesit të përcaktimit të çmimit dhe shpërndarjen e obligacioneve.
Në dokument kërkohet që bankat të paraqesin analiza mbi ecurinë e tregjeve të borxhit sovran, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe parashikime për normat e interesit në euro dhe dollarë.
Një tjetër element i rëndësishëm është vlerësimi i interesit të investitorëve për borxhin shqiptar dhe propozimi i një strategjie për zgjerimin e bazës së investitorëve.
Në vitin 2028 mund të sigurohen edhe 300 milionë euro të tjera
Një element i veçantë i dokumenteve është parashikimi i mundësisë së rihapjes së Eurobondit të vitit 2027 gjatë vitit 2028.
Kjo procedurë, e njohur në tregjet financiare si Tap, i mundëson emetuesit të nxjerrë në treg një sasi shtesë obligacionesh të një emetimi ekzistues, pa krijuar domosdoshmërisht një instrument krejtësisht të ri.
Ministria e Financave parashikon që vlera e këtij operacioni të mos tejkalojë 300 milionë euro.
Megjithatë, dokumentet saktësojnë se përfshirja e kësaj mundësie në procedurat e përzgjedhjes nuk krijon detyrim për realizimin e saj.
Vendimi përfundimtar do të merret në një fazë të mëvonshme, në varësi të nevojave të financimit dhe kushteve të tregjeve ndërkombëtare.
Eurobondi i tetë, pas huamarrjes prej 650 milionë eurove në 2025
Përgatitjet për emetimin e ri vijnë pas daljes së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare në vitin 2025, kur qeveria emetoi një Eurobond prej 650 milionë eurosh, me normë kuponi 4.75% dhe maturim në vitin 2035.
Emetimi i planifikuar për vitin 2027 do të jetë Eurobondi i tetë i Shqipërisë.
Dalja e re në tregjet ndërkombëtare do të zhvillohet në një mjedis ku normat e interesit, perceptimi i investitorëve për rrezikun sovran dhe kushtet e likuiditetit do të ndikojnë drejtpërdrejt në koston përfundimtare të huamarrjes.
Për këtë arsye, përzgjedhja e bankave organizatore dhe e këshilltarit ligjor përbën një fazë të rëndësishme për përgatitjen e transaksionit. /ekofin.al
