Marrëveshja me katër pika e arritur me 10 korrik mes Brukselit dhe Prishtinës për shtensionimin e situatës ka ngjallur skepticizmin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Vuçiç: Tani do të shihni një truk tjetër që disa njerëz nga Perëndimi po përpiqen ta zbatojnë. Shtensionimi është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë.
Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri apel Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ursula von der Leyen: Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Dhe është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u ra dakord.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Qeveria e Kosovës tha se të gjitha hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”. Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
