Kina po ndalon përdorimin e dorezave të fshehura të dyerve në të gjitha makinat që shiten në vend, duke u bërë shteti i parë në botë që godet këtë veçori, e cila u bë e njohur nga Tesla, por që prej vitesh ka ngritur shqetësime për rreziqe sigurie.
Dorezat e fshehura të dyerve janë një tipar karakteristik i automjeteve të Tesla-s, dhe ky ndalim vjen në një kohë kur kompania e Elon Musk raporton rënie të shitjeve në mbarë botën dhe po përballet me konkurrencë të ashpër në Kinë, tregun e saj të dytë më të madh.
Nga jashtë, dorezat elektrike janë të integruara me trupin e derës dhe nuk dalin jashtë saj. Për t’i hapur, përdoruesi duhet të shtypë dorezën për të liruar levën, ndërsa nga brenda, pasagjerët shtypin një buton për të hapur derën.
Edhe pse Tesla është kompania më e njohur për këtë lloj doreze, edhe prodhues të tjerë të automjeteve elektrike në Kinë kanë adoptuar dizajne të ngjashme, përfshirë disa modele nga gjigantë si Xiaomi dhe Aion.
Politika e re, e cila nuk synon ndonjë kompani të veçantë, kërkon që të gjitha makinat e shitura në Kinë të kenë një mekanizëm mekanik çlirimi si për dorezat e brendshme, ashtu edhe për ato të jashtme.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit përmendi “vështirësitë në përdorimin e dorezave të jashtme dhe pamundësinë e tyre për t’u hapur pas një aksidenti”, duke përcaktuar edhe kërkesa konkrete për funksionimin e tyre.
Sipas rregullores, dorezat e jashtme duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme që një dorë të mund të aktivizojë mekanizmin mekanik nga çdo kënd. Ndërsa dorezat e brendshme duhet të jenë “qartësisht të dukshme nga pozicioni i pasagjerit përkatës”.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
Kjo veçori ka qenë më parë nën vëzhgim të rreptë, si në Kinë ashtu edhe në vende të tjera.
Në shtator të vitit të kaluar, Tesla deklaroi se po shqyrtonte ridizajnimin e mënyrës së hapjes së dyerve në raste emergjence, pas disa aksidenteve ku pasagjerët raportohet se humbën jetën ose u plagosën rëndë në automjete që digjeshin, sepse ekipet e shpëtimit nuk mund t’i hapnin dyert.
Sipas një hetimi nga Administrata Kombëtare Amerikane për Sigurinë e Trafikut në Autostrada (NHTSA), disa pronarë të Tesla-s kanë raportuar se u është dashur të thyejnë xhamat e makinës së tyre pasi kishin siguruar fëmijët me rripa dhe më pas nuk kanë mundur të futeshin më brenda.
Një hetim i Bloomberg zbuloi 140 raste ku njerëzit mbetën të bllokuar në makinat Tesla për shkak të problemeve me dorezat e dyerve, përfshirë disa raste që përfunduan me lëndime të tmerrshme.
Makina Tesla kanë gjithashtu një mekanizëm manual për hapjen e dyerve nga brenda, për rastet kur dorezat normale nuk funksionojnë.
Probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në Kinë. Vitin e kaluar, aksionet e Xiaomi ranë ndjeshëm pas një aksidenti fatal në mars, ku humbën jetën tre persona në një sedan të kompanisë, ndërsa mediat lokale dhe ato të lidhura me qeverinë raportuan për vështirësi në hapjen e derës.
Pas këtij rasti, qeveria kineze shtrëngoi rregullat për marketingun dhe testimin e funksioneve të asistencës për drejtuesit e mjeteve.
