Shqipëria ka ngritur disa mekanizma financiarë për të mbrojtur familjet vulnerabël nga kostot e energjisë elektrike, por varfëria energjetike ende nuk është e përkufizuar në ligj, ndërsa masat ekzistuese nuk përbëjnë një sistem të posaçëm mbrojtjeje për pasojat sociale të tranzicionit energjetik.
Ky është boshllëku që nxjerr në pah analiza e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), i cili kërkon forcimin e kuadrit ligjor dhe social në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit, në Shqipëri ekziston mbështetje financiare për familjet me konsum deri në 200 kWh energji elektrike në muaj, si dhe një tjetër masë mbrojtëse që lidhet me konsumin deri në 300 kWh në muaj. Familjet që plotësojnë kushtet për të dyja masat mund të përfitojnë në total 1,288 lekë në muaj, shumë që në raport konvertohet në 12.84 euro. Një masë e tretë parashikon mbështetje për instalimin e kolektorëve termikë diellorë për familjet me të ardhura të ulëta.
Problemi, sipas RCC-së, është se mbështetja financiare ekziston ndërsa mungon ende baza më e gjerë ligjore që do ta trajtonte varfërinë energjetike si pjesë të tranzicionit drejt një ekonomie me më pak emetime. Raporti vëren se familjet me të ardhura të ulëta janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rritjes së mundshme të çmimeve të energjisë dhe ndërprerjeve të furnizimit, pasi këto goditje zënë një pjesë proporcionalisht më të madhe të buxhetit të tyre.
Në krahasimin rajonal, RCC e vendos Shqipërinë dhe Malin e Zi ndër vendet që kanë masa financiare për mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël, por evidenton se vende të tjera kanë shkuar më tej në kuadrin formal. Serbia e njeh ligjërisht varfërinë energjetike si një sfidë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka krijuar një kuadër tranzicioni që synon ndër të tjera mbrojtjen e familjeve vulnerabël nga varfëria energjetike, tërheqjen e investimeve dhe përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore.
Sipas raportit, problemi nuk kufizohet vetëm te Shqipëria. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përgjithësisht skema sociale që prekin në mënyrë indirekte grupet vulnerabël, por këto masa nuk janë krijuar posaçërisht për rreziqet që sjell tranzicioni energjetik. RCC argumenton se pa kuadër ligjor dhe strategji konkrete është e vështirë të krijohen programe efektive për familjet që mund të goditen nga rritja e kostove të energjisë, ndryshimet në tregun e punës apo investimet e nevojshme për eficiencën energjetike.
Për këtë arsye, raporti rekomandon që mbrojtja e familjeve me të ardhura të ulëta, grave dhe punonjësve të prekur nga transformimi i sektorit energjetik të futet shprehimisht në kuadrin ligjor të tranzicionit. Kjo do të kërkonte jo vetëm ndihmë financiare, por edhe masa kundër varfërisë energjetike, akses më të barabartë në energji dhe programe aftësimi për ata që rrezikojnë të mbeten jashtë ekonomisë së gjelbër. /ekofin.al

