INSTAT ka publikuar të dhënat mbi ecurinë e Indeksit të Çmimeve të Importit (IÇI) dhe Indeksit të Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e parë të vitit 2025.
Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e parë të vitit 2025, arriti vlerën 107,7, me vitin 2021 si periudhë bazë. Krahasuar me tremujorin e parë 2024, ky indeks shënoi një ulje prej 0,4 %, ndërkohë që një vit më parë, ky ndryshim kishte qenë -1,9 %. Në raport me tremujorin e katërt 2024, indeksi i çmimeve të importit ka shënuar një ulje tremujore prej 0,3 %.
Ndryshimi vjetor sipas seksioneve tregon se çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” shënuan një ulje prej 5,5 %, të ndjekura nga seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, “mbetjeve” me 1,2 %, ndërsa “Industria përpunuese”, me peshën më të madhe prej 94,0 %, shënoi një ulje prej 0,1 %. Brenda këtij seksioni, ulja më e madhe u regjistrua në produktet e aktivitetit “Konfeksionimi i veshjeve” me 2,1 %, pasuar nga “Metalurgjia” me 1,4 %. Ndërkohë, “Industria nxjerrëse” shënoi një rritje prej 0,6 %.
Ndryshimi tremujor, krahasuar me tremujorin e katërt 2024, tregon se çmimet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” shënuan një ulje prej 2,0 %, të ndjekura nga “Furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,4 %dhe “Industria nxjerrëse” dhe “Industria përpunuese” me 0,2 % secili. Brenda Industrisë përpunuese, ulja më e madhe u regjistrua në produktet e aktivitetit “Konfeksionimi i veshjeve” me 1,0 %. Nga ana tjetër, çmimet e aktivitetit “Prodhimi i mobiljeve” shënuan një rritje prej 0,8 %, të ndjekura nga “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 0,3 %, etj.
Në tremujorin e parë të vitit 2025, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti vlerën 129,7, kundrejt vitit 2021 si periudhë bazë. Ky indeks shënoi një rritje vjetore prej 0,4 % dhe një rritje tremujore prej 0,3 %.
Rritja më e lartë vjetore u shënua në seksionin “Energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar” me 1,0 %, e ndjekur nga “Industria nxjerrëse” me 0,7 % dhe “Furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,5 %. Industria përpunueseshënoi një rritje modeste prej vetëm 0,03 %, me rritje të ndjeshme në mobilje (+2,1 %), farmaceutikë dhe mjete transporti (+1,9 %), ndërsa çmimet u ulën në metalurgji (-2,4 %) dhe produkte kimike (-1,8 %).
Sa i përket Indeksit të Çmimeve të Prodhimit për tregun vendas, u shënua një rritje vjetore prej 0,7 % dhe një rritje tremujore prej 0,2 %. Rritja vjetore më e madhe u vu re në seksionin “Industri përpunuese” me +1,1 % dhe në sektorin e energjisë me +0,8 %, ndërsa industria nxjerrëse shënoi një rënie prej -1,8 %.
Ndërsa për IÇP-në e eksportit, u shënua një rritje vjetore prej 0,3 % dhe një rritje tremujore prej 0,2 %, me ndikim të fortë nga industria nxjerrëse (+2,8 %). Ndërkohë, industria përpunuese shënoi një rënie prej -0,2 %.
Ndryshimet tremujore tregojnë se, në krahasim me tremujorin IV-2024, IÇP u rrit me 0,3 %, e nxitur kryesisht nga sektori i energjisë dhe gazit (+0,4 %) dhe industria përpunuese (+0,2 %). Brenda Industrisë përpunuese, rritja më e lartë u regjistrua në industrinë ushqimore dhe farmaceutikë, të dy me +0,8 %.
IÇP për tregun vendas, shënoi një rritje tremujore prej 0,2 %, me rritje më të lartë në industrinë përpunuese (+0,3 %), ndërsa industria nxjerrëse regjistroi një rënie të ndjeshme prej -0,7 %.
IÇP për eksport, shënoi një rritje prej 0,2 %, me ndikimin më të madh nga industria nxjerrëse (+0,8 %). Industria përpunuese kontribuoi negativisht me një rënie prej -0,1 %./ekofin.al



