Uber po përgatitet të hyjë fuqishëm në tregun e udhëtimeve ndërkombëtare hekurudhore. Kompania ka njoftuar nisjen e projektit Uber Trains, i cili synon të ofrojë lidhje më të shpejta, më komode dhe më të lira drejt qyteteve kryesore evropiane, si Parisi, Brukseli dhe Lille, duke kaluar përmes Tunelit të La Manshit.
Sipas planit, 10 trena me shpejtësi të lartë do të nisen nga Stratford International Station në lindje të Londrës, duke ofruar një alternativë të re ndaj Eurostar-it, i cili prej vitesh ka dominuar këtë segment udhëtimesh. Projekti zhvillohet në partneritet me startup-in Gemini Trains dhe mund të bëhet realitet që në vitin 2029, nëse marrin miratimin e rregullatorëve dhe përfundon infrastruktura ndihmëse.
Biletat do të mund të rezervohen drejtpërdrejt nga aplikacioni i Uber, i cili tashmë ofron shërbime taksie, biçikletash dhe edhe udhëtime me varka në lumin Thames.
Stratford International në qendër të vëmendjes
Zona e East London po shndërrohet me shpejtësi në një nyje të rëndësishme tregtare dhe transporti. Stacioni Stratford International tashmë ka lidhje të shumta brenda vendit dhe është zgjeruar së fundmi me linjën Elizabeth Line, ndërsa ofron akses të lehtë përmes rrjetit Overground, DLR dhe shërbimeve të tjera rajonale.
Në planet afatmesme përfshihet edhe Ebbsfleet International Station në Kent, i cili me hapësira të mëdha parkimi dhe lidhje të gjera rajonale shihet si një tjetër pikënisje strategjike për udhëtarët jashtë Londrës.
“Vendosja e terminalit në lindje të Londrës dhe riaktivizimi i Ebbsfleet do t’u japë shërbimeve hekurudhore ndërkanal akses te rreth 18 milionë pasagjerë,” tha për The Times drejtori ekzekutiv i Gemini Trains, Adrian Quine.
Sfida ndaj Eurostar
Eurostar ka mbajtur monopolin e udhëtimeve Londër–Paris për vite me radhë, me çmime shpesh mbi 230 euro vajtje-ardhje, edhe kur rezervohen javë më parë. Por kompania është kritikuar për vonesa, probleme me oraret, shërbim të dobët dhe reklama të diskutueshme.
Sipas Gemini Trains, hyrja e Uber Trains do të sjellë më shumë konkurrencë, çmime më të arsyeshme dhe standarde më të larta shërbimi. “Ne besojmë se një kulturë shërbimi që vendos klientin të parin, e kombinuar me tarifa të favorshme dhe oferta inovative, do të rigjallërojë udhëtimet hekurudhore,” thuhet në faqen e tyre zyrtare.
Uber Trains pritet të ofrojë një kombinim vendesh “ekonomi” dhe “biznes” me çmime konkurruese, duke krijuar një alternativë reale për udhëtarët që kërkojnë të shmangin koston dhe pengesat e Eurostar-it./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
