Turizmi është kthyer në një motor të rëndësishëm për ekonominë, duke gjeneruar vit pas viti edhe të ardhura të konsiderueshme. Kështu, të hyrat në ekonomi nga sektori i turizmit në 3-mujorin e parë 2025 u zgjeruan më tej, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Referuar të dhënave të publikuara nga BSH në bilancin e pagesave, turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri 874 milionë euro, ose rreth 11% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Statistikat e turizmit në përgjithësi në pozicionojnë Shqipërinë në një pozicion të favorshëm, me rritje të konsiderueshme edhe krahasuar me fqinjët, por edhe vendet e tjera evropiane. Tashmë, sidomos në vitet e fundit, rritja e numrave të turistëve, po përkthehen edhe në më shumë të hyra në ekonomi.
Në të njëjtën kohë, edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke reflektuar trendin e rritjes së udhëtimeve. Kështu, në tremujorin e parë të vitit 2025, qytetarët shqiptarë shpenzuan 579 milionë euro jashtë vendit.
Bilanci neto i turizmit mbetet pozitiv për ekonominë shqiptare, duke reflektuar jo vetëm rritjen e turizmit hyrës, por edhe forcimin e ofertës turistike shqiptare jashtë sezonit veror. Diferenca midis shpenzimeve të turistëve të huaj në vend dhe shqiptarëve që dalin jashtë ka arritur në 295 milionë euro. /ekofin.al