Disa muaj pas kërcënimeve fillestare, presidenti amerikan Donald Trump është rikthyer sërish duke shënjestruar industrinë kinematografike jo-amerikane.
Shpata e Damokleut që ka qëndruar pezull mbi industrinë globale të filmit jashtë SHBA-së për disa muaj duket se ka rënë: Trump njoftoi të hënën se dëshiron të vendosë një taksa 100% mbi filmat e prodhuar jashtë vendit.
“Industria jonë e filmit i është vjedhur Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga vende të tjera, sikur t’i vjedhësh një fëmije karamele. Kalifornia, me guvernatorin e saj të dobët dhe të paaftë, është goditur veçanërisht rëndë! Prandaj, për ta zgjidhur këtë problem të kahershëm dhe të pafund, unë do të vendos një tarifë 100% mbi çdo film që prodhohet jashtë SHBA. Faleminderit për vëmendjen. MAKE AMERICA GREAT AGAIN! President DJT.” – shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
Në maj 2024, Trump autorizoi Departamentin amerikan të Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë së SHBA-së të vendosnin një tarifë 100% mbi të gjithë filmat që nuk prodhohen në Amerikë.
Përfaqësues të industrisë së filmit të BE-së, që folën për Euronews, kishin shprehur frikën se mund të anashkaloheshin nga BE-ja në negociatat tregtare me SHBA-në. Megjithatë, një marrëveshje tregtare e arritur në korrik nuk përfshiu industrinë e filmit – një sektor shërbimesh që nuk mbulohej nga tarifa uniforme 15% e vendosur mbi mallrat e BE-së që shkojnë drejt SHBA-së.
Industria europiane e filmit përballet me kritika nga platformat e mëdha amerikane të transmetimit online, të cilat pretendojnë se rregullat e BE-së janë tepër mbrojtëse ndaj interesave të industrisë vendase.
Shoqata e Filmit të Lëvizshëm (MPA), që përfaqëson industrinë amerikane të filmit, televizionit dhe transmetimit online, ka kundërshtuar legjislacionin e BE-së që vendos kuota mbi shërbimet e “video on demand”, duke kërkuar që 30% e katalogut të tyre të përbëhet nga vepra europiane, si dhe detyrimin për të investuar në produksione nga vendet anëtare të BE-së. MPA i kishte dërguar një letër administratës Trump në mars 2024 për të mbrojtur këtë kauzë.
Sipas Observatorit Audiovizual Europian, në vitin 2023 në SHBA u shfaqën 4.8 milionë filma evropianë.
Komisioni Evropian është pyetur për koment mbi këtë zhvillim./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

