Nga Olsi Çoku*
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar. Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe sjell ndryshime në mënyrën si shoqëritë administrohen, kryejnë transaksione dhe mbrojnë interesat e ortakëve, aksionarëve e kreditorëve.
Projektligji është pjesë e përafrimit me Direktivën (BE) 2017/1132 për të drejtën e shoqërive tregtare, së bashku me ndryshimet për përdorimin e mjeteve digjitale dhe riorganizimet ndërkufitare, si dhe Direktivën 2009/102/KE për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar me ortak të vetëm. Një pjesë e veçantë lidhet me Direktivën 2007/36/KE për të drejtat e aksionarëve, të ndryshuar nga Direktiva (BE) 2017/828, e njohur si SRD II. Kjo e fundit synon angazhimin afatgjatë të aksionarëve dhe transparencën në marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë, drejtuesve dhe investitorëve.
Projektligji ndërthur përmirësimin e rregullave ekzistuese me mekanizma të rinj në ligjin për shoqëritë tregtare. Ai veçon tri risi me interes për bizneset.
1. Një regjim i ri për aksionarët sipas SRD II
Për herë të parë, në ligjin për shoqëritë tregtare përfshihet një kuadër i posaçëm që lidh identifikimin e aksionarëve, ushtrimin e të drejtave të tyre përmes ndërmjetësve dhe transparencën e investitorëve me kontrollin mbi shpërblimin e drejtuesve dhe transaksionet me palë të lidhura. Ky regjim u drejtohet shoqërive të listuara dhe subjekteve përkatëse të tregut të kapitalit.
Në praktikë, aksionari do të ketë më shumë mundësi të marrë informacion, të përcjellë udhëzime për votimin dhe të marrë konfirmim për votën e tij, edhe kur aksionet mbahen përmes ndërmjetësve. Asambleja e përgjithshme do të miratojë politikën e shpërblimit të administratorëve dhe anëtarëve të këshillave, ndërsa shoqëria do të publikojë raportin vjetor për shpërblimet. Transaksionet me palë të lidhura do t’i nënshtrohen një regjimi të posaçëm miratimi dhe publikimi, sipas kushteve ligjore.
Detyrime transparence parashikohen edhe për investitorët institucionalë, administruesit e aktiveve dhe këshilltarët për çështjet e votimit. Sipas Çokut, këto rregulla i japin aksionarit mundësi më të mirë për të ndjekur administrimin e investimit të tij dhe krijojnë kushte më të qarta për shoqëritë që synojnë të tërheqin kapital në tregje të rregulluara. Detyrimet e posaçme të SRD II kanë fushë zbatimi të përcaktuar dhe nuk shtrihen automatikisht te çdo shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.
2. Ndarja e pjesshme si mundësi për riorganizimin e biznesit
Një risi me përdorim praktik është rregullimi i shprehur i ndarjes së pjesshme. Shoqëria mund të transferojë një pjesë të aktiveve dhe pasiveve te shoqëritë marrëse dhe të vijojë veprimtarinë me pjesën e mbetur. Ortakët ose aksionarët e saj marrin pjesëmarrje në shoqëritë marrëse, proporcionalisht me pjesëmarrjen që zotërojnë.
Për një biznes që ushtron disa veprimtari, kjo krijon mundësi për t’i organizuar ato në shoqëri të veçanta, duke ruajtur ekzistencën e shoqërisë fillestare. Për shembull, veprimtaria e prodhimit mund të ndahet nga ajo e tregtimit. Kjo lëvizje vlerësohet si mjet të dobishëm për ristrukturimin e grupeve dhe ndarjen më të qartë të veprimtarive. Rregullimi në ligjin e shoqërive tregtare nuk përcakton vetvetiu trajtimin tatimor të operacionit.
3. Dokumentimi i pronësisë dhe verifikimi i drejtuesve
Për bizneset që nuk janë të listuara, ndryshimet më të prekshme lidhen me dokumentacionin e shoqërisë dhe emërimin e drejtuesve. Një mekanizëm i ri është moduli i Qendrës Kombëtare të Biznesit për personat që nuk mund të ushtrojnë funksione drejtuese ose mbikëqyrëse. Me anë të këtij mekanizmi, personat e dënuar me vendim të formës së prerë për veprat penale të përcaktuara në ligj, si dhe personat ndaj të cilëve është vendosur ndalim për ushtrimin e funksioneve drejtuese ose mbikëqyrëse, nuk mund të emërohen administratorë apo anëtarë të organeve drejtuese ose mbikëqyrëse të shoqërive tregtare, për sa kohë pengesa ligjore vazhdon. Ky ndalim zbatohet edhe kur dënimi ose ndalimi përkatës është vendosur jashtë Shqipërisë. Për regjistrimin e emërimit në QKB kërkohet dokumentacion zyrtar që vërteton se personi nuk ka pengesa ligjore për të ushtruar funksionin..
Projektligji parashikon aktin noterial si kusht vlefshmërie për kalimin e kuotave ose aksioneve me kontratë. Për aksionet, ruhet edhe njohja e transaksioneve elektronike të kryera sipas legjislacionit për tregjet e kapitalit si transaksione në formë shkresore. Këtu përfshihen, për shembull, shitblerjet e aksioneve përmes sistemeve elektronike të tregtimit, ku veprimet dokumentohen elektronikisht dhe pasqyrohen në llogaritë përkatëse të titujve.
4. Çfarë duhet të bëjnë bizneset dhe kur zbatohen ndryshimet
Bizneset duhet të rishikojnë mënyrën si miratojnë kontratat me palë të lidhura, si administratorët ose shoqëritë e të njëjtit grup. Përpara lidhjes së këtyre kontratave duhet të verifikojnë nëse kërkohet miratim paraprak dhe cilët persona duhet të përjashtohen nga votimi për shkak të konfliktit të interesit.
Për shoqëritë aksionare, para shpërndarjes së dividendit duhet të kontrollohet nëse pasuria neto që mbetet në shoqëri mbulon kapitalin dhe rezervat që nuk lejohen të shpërndahen. Rregulla të posaçme zbatohen edhe kur shoqëria blen aksionet e veta ose financon një person tjetër për blerjen e tyre. Në këto raste duhet të respektohen kushtet financiare, miratimet dhe detyrimet e raportimit të parashikuara në ligj.
Përgatitja praktike duhet të nisë me kontrollin e dokumentacionit të pronësisë dhe të drejtuesve, si dhe përshtatjen e procedurave për miratimin e kontratave dhe shpërndarjen e fitimit. Ndryshimet e nevojshme dhe kostot përkatëse varen nga forma e shoqërisë dhe veprimet që ajo kryen.
Pas miratimit, ligji parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Procedurat e reja që varen nga sistemi elektronik i QKB-së do të fillojnë të zbatohen pasi sistemi të jetë përditësuar, në datën që do të përcaktohet nga rregullorja teknike përkatëse. Për lidhjen e regjistrit shqiptar të biznesit me regjistrat e vendeve të BE-së dhe njohjen ndërkufitare të mjeteve të identifikimit elektronik, ky projektligj parashikon zbatimin në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Këto çështje trajtohen më tej edhe në ndryshimet e propozuara të ligjit “Për regjistrimin e biznesit”.
* Olsi Çoku është ekspert i së drejtës së shoqërive tregtare
