Në një treg që vitet e fundit është karakterizuar nga rritja e çmimeve, shtimi i investimeve dhe ndryshime të vazhdueshme në kuadrin ligjor, një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e të dhënave të strukturuara mbi problematikat që hasin çdo ditë agjentët dhe brokerët e pasurive të paluajtshme. Pikërisht për të krijuar këtë bazë informacioni, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) ka nisur një anketim kombëtar, duke ftuar të gjithë profesionistët e sektorit të kontribuojnë me eksperiencën e tyre.
Nisma synon të evidentojë sfidat reale me të cilat përballet industria e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme, duke mbledhur të dhëna mbi funksionimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, marrëdhëniet me institucionet shtetërore, klimën e biznesit, kuadrin rregullator dhe faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në ushtrimin e profesionit.
Për një sektor që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në ekonomi dhe që ndikon në investime, kredi, zhvillimin urban dhe punësim, përfshirja e vetë profesionistëve në identifikimin e problemeve konsiderohet një hap i rëndësishëm për ndërtimin e politikave më efektive dhe standardeve më të larta të funksionimit të tregut.
Rezultatet e anketimit do t’i shërbejnë NAREA-s dhe aktorëve të tjerë të industrisë për të hartuar rekomandime konkrete, për të nxitur përmirësime në kuadrin rregullator dhe për të forcuar përfaqësimin profesional të sektorit. Sa më i madh të jetë numri i pjesëmarrësve, aq më përfaqësues do të jetë studimi dhe aq më të besueshme do të jenë gjetjet që do të dalin prej tij.
E themeluar në vitin 2015, NAREA përfaqëson agjentë dhe brokerë të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, me mision promovimin e profesionalizmit, rritjen e transparencës së tregut dhe vendosjen e standardeve etike për ushtrimin e aktivitetit. Gjatë viteve, shoqata ka organizuar konferenca, trajnime, kërkime tregu dhe tryeza diskutimi me institucionet publike dhe aktorët e industrisë, duke synuar krijimin e një tregu më të strukturuar dhe më konkurrues.
Organizatorët garantojnë se çdo përgjigje do të trajtohet me konfidencialitet të plotë. Të dhënat personale dhe ato të biznesit nuk do të identifikohen në asnjë raport apo publikim, ndërsa informacioni i mbledhur do të përdoret vetëm në mënyrë të agreguar për qëllime studimore.
Për këtë ftohen agjentët, broker-at apo dhe profesionistët e tregut të pasurive të paluajtshme, që të marrin pjesë në këtë anketim, pasi është një mundësi konkrete për të kontribuar në evidentimin e sfidave të sektorit dhe në formulimin e propozimeve që mund të ndikojnë në zhvillimin e tij në vitet e ardhshme.
Pyetësori mund të plotësohet në linkun e mëposhtëm:
https://anketa.acer.org.al/index.php/316113?lang=sq




