Sipas publikimit nga Banka e Shqipërisë, të dhënat e bilancit të Pagesave për tremujorin e dytë të vitit 2024 tregojnë për një ngushtim të lehtë të deficitit korrent. Flukset e rritura të ekporteve dhe të të ardhurave hyrëse ishin faktori kryesor i këtij përmirësimi. Deficiti i llogarisë korrente shënoi 215.5 milionë euro, duke u zvogëluar me 7.5%.
Ai vlerësohet në masën 3.3% ndaj PBB-së ose me 0.9 pikë përqindjeje më i ulët se i njëjtit tremjor i vitit të kaluar. Ngushtimi i deficitit ka buruar nga rritja e flukseve hyrëse në të gjitha nënllogaritë e llogarisë korrente. Rritja vjetore e eksporteve totale shënoi 16.5% në tremujorin në fjalë.
Eksportet e mallrave kanë shfaqur rritje me 14.8 %, ndërsa ato të shërbimeve me 17% (këto të fundit kryesisht nga rritja me 24.7% e flukseve hyrëse turistike.
Ndërsa, importet totale u zgjeruan me 14.4%, të ndikuara si nga rritja me 12% e importit të mallrave, ashtu edhe nga rritja me 19.8% e importit të shërbimeve. Rritja e importit të shërbimeve është shkaktuar nga zgjerimi me 26.8% i flukseve dalëse turistike.
Sa i përket deficitit të përgjithshëm u thellua me 5.8%, pasi ndikim nga rritja e importeve, kryesisht e mallrave, ishte më i lartë krahasuar me ndikimin e kundërt nga rritja e eksporteve. Një tremujor më parë, deficiti zgjerohej me 77%. Në raport me PBB-në, deficit qëndron në nivelin 7.5%, i ngushtuar me 0.8 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor vitin e kaluar.
Deficit ka shënuar edhe llogaritja e të ardhurave parësore prej 62.2 milionë eurosh, duke u tkurrur krahasuar me një vit më parë. Ky ngushtim u shkaktuar nga rritja më e shpejtë e të ardhurave hyrëse nga puna në krahasim me rritje e atyre dalëse nga investimet, dukuri kjo e vënë re në tre trumujorët paraardhës. Gjithashtu, teprica positive e të ardhurave dytësore u zgjerua me 12.5%, si pasojë e rritjes së remitancave me 16.8%.
Ndërkohë, në llogarinë financiare janë regjistruar flukse hyrëse neto në vlerën 325.6 milionë euro. Flukset hyrëse të investimeve direkte shfaqën një rritje të ngadalësuar prej 3.6%, megjithatë ishin përsëri në gjendje të financonin plotësisht deficitin korrent. Mjetet e rezervës u zvogëluan me 116.8 milionë euro. Stoku i rezervës në fund të tremujorit të dytë të vitit 2024 llogaritet i mjaftueshëm për të mbuluar 6.4 muaj import mallrash dhe shërbimesh ose 315% të borxhit të jashtëm afatshkurtër bruto.
