TikTok ka siguruar vazhdimësinë e operimit në Shtetet e Bashkuara pas arritjes së një marrëveshjeje strategjike mes kompanisë mëmë ByteDance dhe një konsorciumi investitorësh amerikanë dhe ndërkombëtarë. Sipas marrëveshjes, biznesi amerikan i TikTok do të ndahet në një kompani të re të përbashkët, TikTok US, duke synuar adresimin e shqetësimeve të qeverisë amerikane mbi sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve.
Në këtë sipërmarrje të re, 50% e pronësisë do t’u takojë investitorëve si Oracle, Silver Lake dhe firma investuese emirate MGX, ndërsa ByteDance do të mbajë 19.9%, me pjesën tjetër në pronësi të investitorëve ekzistues të saj. TikTok US do të drejtohet nga një bord prej shtatë anëtarësh me shumicë amerikane dhe do të operojë sipas rregullave që garantojnë ruajtjen e të dhënave të përdoruesve amerikanë brenda SHBA-së, në sisteme të administruara nga Oracle.
Një nga pikat më të ndjeshme të marrëveshjes lidhet me algoritmin e TikTok, i cili ka qenë në qendër të debatit politik dhe të sigurisë. Algoritmi do të ritrainohet mbi bazën e të dhënave të përdoruesve amerikanë dhe do të menaxhohet në mënyrë të tillë që të shmangë ndikimin ose manipulimin nga jashtë, ndërsa moderimi i përmbajtjes dhe politikat e platformës në SHBA do të mbikëqyren nga struktura e re amerikane.
Marrëveshja i jep fund një periudhe disa-vjeçare tensionesh që nisën në vitin 2020, kur administrata Trump tentoi për herë të parë ndalimin e TikTok për shkak të lidhjeve të tij me Kinën. Ligji i miratuar më vonë me mbështetje dypartiake, dhe i nënshkruar nga presidenti Joe Biden, parashikonte ndalimin e platformës nëse nuk gjendej një zgjidhje pronësie para janarit 2025. TikTok u mbyll përkohësisht, por u rikthye në funksion pas urdhrave ekzekutivë të Trump që zgjatën afatin për arritjen e marrëveshjes.
Me mbi 170 milionë përdorues në SHBA dhe një rol gjithnjë e më të madh si burim informacioni për të rinjtë, TikTok shmang kështu ndalimin dhe garanton vazhdimësinë e aktivitetit të tij në një nga tregjet më të rëndësishme globale. Lajmi pati edhe ndikim pozitiv në tregjet financiare, me rritjen e ndjeshme të aksioneve të Oracle pas shpalljes së marrëveshjes./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
