Forcimi i etikës dhe integritetit institucional, auditimi si instrument për menaxhimin e riskut; përafrimi me standardet e Bashkimit Europian; ndikimi i inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave në proceset e auditimit; si dhe roli i auditimit në qeverisjen korporative dhe vendimmarrjen strategjike, ishin temat e diskutimit në konferencën e parë ndërkombëtare për fuqizimin e auditit të brendshëm, zhvilluar në Tiranë.
Kjo konferencë u organizua nga Instituti Shqiptar i Audituesve të Brendshëm (IIA Albania) dhe mblodhi mbi 200 pjesëmarrës nga Shqipëria, Ballkani, Europa dhe Shtetet e Bashkuara, mes tyre drejtues institucionesh publike, përfaqësues të sektorit financiar, ekspertë të auditimit, përfaqësues të biznesit dhe organizatave ndërkombëtare.
Konferenca e vendosi auditimin e brendshëm në fokus të diskutimeve mbi reformimin institucional dhe qeverisjen korporative, në një moment kur institucionet dhe kompanitë po përballen me rritjen e riskut operacional, transformimin teknologjik dhe kërkesat në rritje për transparencë dhe llogaridhënie.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua transformimit digjital dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në auditim. Ekspertët evidentuan se auditimi po kalon nga një model tradicional kontrolli në një funksion strategjik që përdor analiza të avancuara të të dhënave për të identifikuar rreziqet dhe për të mbështetur drejtuesit në vendimmarrje.
Në fjalën përshëndetëse, Ministri i Financave, Petrit Malaj, u shpreh: “Auditimi i brendshëm përbën një prej shtyllave kryesore të mirëqeverisjes, transparencës dhe integritetit financiar, ndërsa për Ministrinë e Financave është një prioritet i rëndësishëm i reformës së menaxhimit financiar publik, në kuadër edhe të procesit të integrimit evropian. Ne udhëheqim disa kapituj dhe ndër ta, Kapitulli 32 – Kontrolli Financiar – mbetet një nga më të rëndësishimit sa i takon konsolidimit të shtetit ligjor dhe forcimit të institucioneve publike”.
Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi: “Për Bankën e Shqipërisë dhe për sistemin bankar në tërësi, auditimi i brendshëm është një shtyllë themelore e stabilitetit, integritetit dhe besueshmërisë financiare. Ligji për bankat dhe kuadri ynë rregullator i kushtojnë një rëndësi të veçantë qeverisjes së brendshme, menaxhimit të riskut dhe funksioneve të pavarura të kontrollit, duke përfshirë auditimin e brendshëm si një mekanizëm kyç për garantimin e qëndrueshmërisë së institucioneve financiare.
Në një realitet ku sektori financiar përballet me transformime të shpejta – nga digjitalizimi dhe inovacioni teknologjik, te rreziqet kibernetike dhe sfidat globale – roli i auditimit të brendshëm bëhet gjithnjë e më strategjik. Ai nuk është vetëm një instrument kontrolli, por një funksion thelbësor për parandalimin e riskut, përmirësimin e proceseve dhe mbështetjen e vendimmarrjes së shëndoshë”.
Konferenca trajtoi edhe raportin mes auditimit të brendshëm dhe biznesit, duke theksuar se kompanitë me struktura të forta kontrolli, transparence dhe menaxhimi risku janë më të besueshme për investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Erald Bezhani, President i Institutit të Audituesve të Brendshëm, deklaroi se auditimi i brendshëm sot nuk mund të shihet më vetëm si një funksion pajtueshmërie.
“Sot organizatat kanë nevojë për më shumë sesa controll. Kanë nevojë për largpamësi, integritet dhe analiza që ndihmojnë drejtuesit të marrin vendime të qëndrueshme,” u shpreh ai.
Bezhani theksoi se audituesit e brendshëm po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në garantimin e transparencës dhe qëndrueshmërisë institucionale, veçanërisht në vende që janë në proces reformash dhe integrimi europian.
Ai nënvizoi gjithashtu nevojën që profesioni të përshtatet me zhvillimet teknologjike dhe të orientohet drejt auditimit të bazuar në të dhëna, analizës së riskut, përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale si dhe forcimit të lidershipit etik dhe profesionalizmit.
Konferenca shërbeu edhe si platformë bashkëpunimi ndërmjet instituteve të auditimit të brendshëm në rajon, me fokus harmonizimin e standardeve dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale.
Me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë, drejtuesve institucionalë dhe përfaqësuesve të biznesit, “Empowering Internal Audit 2026” konfirmoi se auditimi i brendshëm po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm jo vetëm në administratën publike, por edhe në mënyrën se si kompanitë ndërtojnë strategjinë, menaxhojnë riskun dhe garantojnë besueshmëri në treg.
Konferenca solli në Tiranë edhe drejtues të strukturave më të rëndësishme ndërkombëtare të profesionit, përfshirë përfaqësues të IIA Global dhe ECIIA, të cilët ndanë zhvillimet më të fundit mbi standardet ndërkombëtare, sfidat e profesionit dhe ndikimin e teknologjisë në auditimin modern. /ekofin.al




