Censi 2023 tregoi numrin e personave që jetojnë në Shqipëri, përkatësinë fetare, statusin social etj. Të dhënat e fundit të popullsisë dhe banesave treguan se në Shqipëri jetojnë 755 mijë e 950 familje.
Nga rezultatet u pa edhe se për çfarë kanë investuar më tepër qytetarët gjatë 12 viteve të fundit, që nga koha e Censit 2011.
Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e familjeve shqiptare i kanë në pronësi banesat në të cilat jetojnë.
Nga 755 mijë e 950 familje, 82,5 përqind e tyre janë pronarë të banesës ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor të pronësisë.
Vetëm 8.8 përqind e familjeve shqiptare jetojnë me qira.
Ndërkohë rezulton se pjesa më e madhe e familjeve, 97 %, zotërojnë pajisje kryesore si televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe.
Po ashtu, rezulton se depërtimi i internetit në popullatë ka njohur rritje të fortë vitet e fundit, pasi më shumë se 74 % e familjeve shqiptare kanë sistem fizik të lidhjes së internetit.
Në ndryshim nga Censi i vitit 2011 rezulton se lidhja fizike e linjës së internetit ka shënuar rritje të konsiderueshme, me 62,2 pikë përqindje.
Në 12 vitet e fundit, rezulton se familjet shqiptare kanë investuar më shumë edhe për pajisje të tjera afatgjata që përmirësojnë jetesën e tyre.
Në këtë kontekst, Censi i vitit 2023 nxjerr në pah se familjet shqiptare kanë instaluar më shumë kondicionerë dhe panele diellore.
Krahasuar me të dhënat e CENSIT 2011, ky cens tregoi një rritje me 27.5 % të familjeve që kanë instaluar kondicionerë.
Një tendencë e re, është rritja e ndjeshme e zotërimit të paneleve diellore nga familjet shqiptare, ku 11,4 përqind e e tyre zotërojnë panele diellore krahasuar me 2,7 përqind që ishte në censin e mëparshëm.
