Gati gjysma e asaj që shoferët evropianë paguajnë për benzinën shkon për qeveritë. Ja 10 shtetet anëtare me taksat më të larta për benzinën.
Mbushja e makinës me karburant nuk ka kushtuar kurrë më shumë në Bashkimin Evropian.
Benzina Euro-super 95 arriti një mesatare të ponderuar prej 2,063 euro për litër në BE më 14 shtator, çmimi më i lartë i regjistruar në serinë e të dhënave të Komisionit Evropian, që daton që nga viti 2005.
Kriza nisi në fund të shkurtit, kur shpërtheu lufta me Iranin dhe u ndërprerën rrjedhat e energjisë përmes ngushticës së Hormuzit.
Nafta Brent kushtonte rreth 72 dollarë për fuçi përpara luftës, ndërsa të hënën kontratat për dorëzim muajin e ardhshëm tregtoheshin me më shumë se 100 dollarë për fuçi.
Presion shtesë ushtruan edhe rafineritë.
Marzhet e përpunimit matin diferencën mes çmimit që rafineritë paguajnë për naftën bruto dhe të ardhurave që marrin nga shitja e benzinës dhe naftës.
Ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane vlerësojnë se në javën e tretë të shtatorit, këto marzhe shtuan 0,17 euro për çdo litër benzinë në eurozonë dhe 0,41 euro për çdo litër naftë.
Megjithatë, gati gjysma e parave që shoferët paguajnë në pikën e karburantit shkojnë për qeveritë në formën e taksave.
Si përllogariten taksat
Benzina tatohet në dy faza kryesore. Fillimisht aplikohet akciza, një tarifë fikse për litër, e cila nuk rritet automatikisht kur rritet çmimi i naftës. Disa vende vendosin gjithashtu taksa për karbonin apo tarifa të tjera.
Më pas aplikohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), i cili llogaritet mbi çmimin e karburantit pasi janë shtuar akciza dhe tarifat e tjera. Pra, shoferët paguajnë edhe TVSH mbi akcizën: një taksë mbi taksën.
Në të gjithë BE-në, taksat ishin mesatarisht 0,976 euro për litër, duke përbërë 47,3% të çmimit në pikën e karburantit. Në shtatë shtete anëtare, ato kaluan 1 euro për litër.
Më poshtë janë 10 shtetet me barrën më të lartë tatimore për litër.
10. Letonia: 0,960 euro për litër
Letonia rriti akcizën për benzinën pa plumb në janar, nga 532 në 555 euro për 1.000 litra, ose 0,555 euro për litër.
Një tarifë e dytë shkon për rezervat emergjente të naftës, rezervat që çdo shtet i BE-së duhet të mbajë në rast ndërprerjeje të furnizimeve. Ajo është vendosur në 91,26 euro për ton produkte nafte të shitura në Letoni, pak më pak se 7 cent për litër benzinë.
TVSH-ja prej 21% shton 0,343 euro.
Në total, shoferët në Letoni paguanin 0,96 euro taksa për çdo litër, sipas të dhënave të dorëzuara javën e kaluar.
9. Estonia: 0,963 euro për litër
Estonia aplikon një akcizë prej 0,593 euro për litër, pas rritjes së taksave të karburantit në maj 2025. Kur çmimet u rritën ndjeshëm këtë pranverë, Tallini vendosi të anulonte një rritje tjetër të planifikuar për majin 2026.
Nuk ka tarifa të tjera për karburantin. TVSH-ja prej 24% shton 0,370 euro.
Kjo e çon barrën tatimore në Estoni në 0,963 euro për çdo litër, pothuajse gjysmën e çmimit prej 1,914 euro për litër.
8. Portugalia: 0,978 euro për litër
Taksa kryesore e karburantit në Portugali, e njohur si ISP, ishte 0,432 euro për litër gjatë javës së 14 shtatorit. Ajo përfshin edhe kontributin e mëparshëm për shërbimin rrugor, i cili ende përbën 8,7 cent për litër benzinë.
ISP-ja reduktohet nga një ulje e përkohshme. Ajo zbatohet kur çmimet rriten më shumë se 10 cent mbi nivelet e fillimit të marsit dhe u kthen shoferëve TVSH-në shtesë që mbledh shteti.
Një taksë për karbonin shton 0,159 euro për litër në vitin 2026, ndërsa TVSH-ja prej 23% shton 0,387 euro.
Të treja tarifat së bashku arritën në 0,978 euro për litër, sipas buletinit të fundit të Komisionit Evropian.
7. Italia: 1,049 euro për litër
Italia aplikon një akcizë prej 0,673 euro për litër. Benzina dhe nafta kanë të njëjtën normë që nga janari, pasi qeveria uli akcizën për benzinën me 4,05 cent dhe e rriti me të njëjtën masë për naftën.
Roma ka ulur disa herë normën për naftën që nga fundi i korrikut, për të zbutur rritjen e çmimeve.
Për benzinën nuk ka pasur ulje.
TVSH-ja prej 22% shton 0,376 euro.
Shteti italian arkëtoi 1,049 euro për çdo litër të shitur, pak më shumë se gjysmën e çmimit prej 2,084 euro për litër.
6. Franca: 1,052 euro për litër
Akciza franceze për benzinën, e njohur më parë si TICPE, është 0,690 euro për litër që nga 1 marsi.
TVSH-ja prej 20% shton 0,362 euro.
Shoferët francezë paguanin 1,052 euro taksa për çdo litër.
5. Greqia: 1,133 euro për litër
Greqia aplikon një akcizë prej 0,70 euro për litër për benzinën pa plumb.
Dy tarifa të vogla, të dyja të llogaritura si përqindje e çmimit, shtojnë rreth 1,5 cent: një tarifë për përpunimin doganor dhe një kontribut për një llogari të posaçme të naftës.
TVSH-ja prej 24% shton 0,418 euro.
Totali arriti në 1,133 euro për litër, ose 52,5% të çmimit në pikën e karburantit, përqindja më e lartë ndër 10 shtetet e renditura.
4. Gjermania: 1,179 euro për litër
Taksa gjermane e energjisë për benzinën është 65,45 cent për litër. Berlini e uli përkohësisht me 14,04 cent nga 1 maji deri më 30 qershor, për shkak të luftës, por norma e plotë është rikthyer.
Një taksë për karbonin shton rreth 0,148 euro për litër. Që nga janari, certifikatat e CO₂ për lëndët djegëse fosile shiten në një interval prej 55 deri në 65 euro për ton.
TVSH-ja prej 19%, një nga normat më të ulëta në BE, shton 0,376 euro.
Taksa e energjisë, çmimi i karbonit dhe TVSH-ja së bashku arritën në 1,179 euro për litër, rreth gjysmën e çmimit që paguanin shoferët gjermanë në pikën e karburantit.
3. Finlanda: 1,193 euro për litër
Taksa e karburantit në Finlandë, prej 0,722 euro për litër, përbëhet nga tre elemente: një taksë mbi përmbajtjen energjetike të karburantit, një taksë për CO₂ dhe një tarifë e vogël për sigurinë e furnizimit.
Në janar, Helsinki uli vlerën e karbonit të përdorur për llogaritjen e taksës së CO₂ nga 62 në 56,8 euro për ton.
TVSH-ja është elementi ku Finlanda dallohet. Norma prej 25,5% është e dyta më e lartë në BE, pas Hungarisë me 27%, dhe shton 0,471 euro për litër.
Të gjitha taksat së bashku arritën në 1,193 euro për litër, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Evropian.
2. Danimarka: 1,230 euro për litër
Danimarka ka benzinën më të shtrenjtë në BE, me 2,564 euro për litër, por nuk është shteti që vendos taksat më të larta.
Taksat mbi karburantin arrijnë në 5,36 korona për litër para TVSH-së, rreth 0,717 euro.
Ato përbëhen nga një taksë energjie, një taksë për CO₂ dhe një tarifë për oksidet e azotit, ku vetëm pjesa e taksës së CO₂ është 1,86 korona.
TVSH-ja prej 25% aplikohet mbi një çmim të lartë para taksave prej 1,334 euro. Ajo shton 0,513 euro për litër, shuma më e lartë e TVSH-së në të gjithë BE-në.
Kjo e çon barrën totale tatimore në Danimarkë në 1,230 euro për litër, e dyta pas Holandës.
1. Holanda: 1,270 euro për litër
Asnjë shtet i BE-së nuk merr më shumë taksa nga një litër benzinë sesa Holanda.
Akciza holandeze për benzinën është 844,69 euro për 1.000 litra në vitin 2026, më e larta në BE. Një tarifë që financon rezervat kombëtare të naftës shton edhe 0,8 cent.
TVSH-ja prej 21% shton 0,422 euro.
Çdo litër benzinë i shitur në Holandë përmbante 1,270 euro taksa javën e kaluar, ose 52% të çmimit prej 2,434 euro për litër në pikën e karburantit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

