Të gjitha sistemet online të Bashkisë së Tiranës kanë dalë jashtë funksionit pas një sulmi kibernetik të kryer të premten nga grupi i njohur i hakerave “Homeland Justice”. Ky akt ka shkaktuar një paralizë të plotë të shërbimeve digjitale të institucionit, përfshirë sistemin e gjobave dhe ndërveprimin elektronik me qytetarët.
Situata ka prekur drejtpërdrejt edhe funksionimin e Policisë Bashkiake, e cila këtë fundjavë është përballur me dhjetëra raportime nga qytetarët lidhur me bllokime rrugësh në disa lagje të kryeqytetit. Ekofin.al ka marrë të paktën tri raportime nga qytetarë që nuk kanë gjetur dot zgjidhje me Policinë Bashkiake. Në mungesë të aksesit në sistemet digjitale, zyrtarët vendorë nuk kanë qenë në gjendje të menaxhojnë situatat në terren.
Qytetarë të ndryshëm janë orientuar nga Policia Bashkiake drejt Policisë Rrugore, me arsyetimin: “Nuk kemi çfarë të bëjmë, pasi nuk ka sistem.” Kjo ka rritur edhe më tej konfuzionin, por për fat shumë qytetarë i janë drejtuar plazheve këtë fundjavë dhe Tirana ka qenë gjysmë e boshatisur. Por problemi do të jetë edhe më i madh të hënën, nëse sistemet nuk rikthehen, pasi atëherë të gjithë janë kthyer në Tiranë dhe nis java normale e punës.
AKSK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike, por deri tani nuk ka ende asnjë përditësim dhe po ashtu nuk ka ende njoftim zyrtar nga Bashkia e Tiranës mbi kohën e rikuperimit apo ndikimin në të dhënat e qytetarëve.
Aktualisht i pezulluar vijon të mbetet edhe regjistrimi i fëmijëve në kopshte dhe çerdhe për shkak të rrëzimit të sistemit. Të paktën për shkelësit një gjë të mirë e kanë bërë hakerat, një fundjavë free, pa gjoba nga Policia Bashkiake në Tiranë. /ekofin.al
