Starbucks, njoftoi të premten një tjetër valë shkurtimesh në stafin korporativ dhe bëri të ditur se planifikon të mbyllë disa zyra rajonale mbështetëse, si pjesë e planit të vazhdueshëm për rimëkëmbjen e kompanisë.
Kompania tha se do të shkurtojë 300 vende pune në SHBA, ndërsa ka nisur edhe një rishikim të forcës së saj ndërkombëtare të punës në nivelet korporative. Shkurtimet nuk prekin punonjësit e kafeneve.
Sipas kompanisë, kostot e kombinuara të dëmshpërblimeve dhe rivlerësimit të hapësirave të zyrave do të sjellin kosto ristrukturimi prej 400 milionë dollarësh. Starbucks pret të regjistrojë 280 milionë dollarë kosto jo-cash të lidhura me zhvlerësimin e aseteve afatgjata dhe 120 milionë dollarë kosto cash të lidhura me largimet nga puna.
“Po ndërmarrim hapa të mëtejshëm në kuadër të strategjisë ‘Back to Starbucks’, duke u mbështetur në momentumin e fortë të biznesit dhe duke punuar për ta rikthyer kompaninë në rritje të qëndrueshme dhe fitimprurëse”, deklaroi një zëdhënës i Starbucks për CNBC. “Drejtuesit kanë analizuar me kujdes funksionet e tyre për të rritur fokusin, për të prioritizuar punën, për të ulur kompleksitetin dhe kostot.”
Njoftimi i së premtes shënon raundin e tretë të shkurtimit të vendeve të punës që nga momenti kur Brian Niccol mori drejtimin e kompanisë. Në shkurt 2025, Niccol njoftoi shkurtimin e 1,100 vendeve të punës dhe mosplotësimin e disa qindra pozicioneve të hapura. Shtatë muaj më vonë, kompania njoftoi edhe 900 shkurtime të tjera për punonjësit jashtë rrjetit të shitjes, si pjesë e një plani ristrukturimi prej 1 miliard dollarësh.
Sipas një dokumenti rregullator, Starbucks kishte 9,000 punonjës jo të lidhur me shitjen me pakicë në SHBA dhe 5,000 punonjës ndërkombëtarë në role mbështetëse rajonale deri më 28 shtator 2025.
Gjatë drejtimit të Niccol, kompania ka nisur një proces të kushtueshëm, por sipas rezultateve edhe të suksesshëm, të rimëkëmbjes së biznesit në SHBA. Shitjet e gjigantit të kafesë kishin rënë për shkak të konkurrencës në rritje dhe konsumatorëve më të kujdesshëm me shpenzimet.
Nën drejtimin e Niccol, Starbucks ka përmirësuar operacionet në kafene, ka shtuar produkte të reja në menu, ka rikthyer hapësirat e uljes në lokale dhe ka rritur numrin e stafit në pikat e saj të shitjes.
Për tremujorin e fundit, kompania raportoi se shitjet në të njëjtat dyqane në SHBA u rritën me 7.1%, të nxitura nga një rritje prej 4.3% e numrit të transaksioneve. Ky ishte tremujori i dytë radhazi me rritje të fluksit të klientëve në kafenetë e Starbucks në SHBA, një sinjal se plani i rimëkëmbjes po funksionon.
“Ky tremujor shënoi një moment historik për Starbucks – dhe kthesën në procesin tonë të rimëkëmbjes”, tha Niccol në një video të publikuar bashkë me rezultatet financiare të tremujorit të dytë fiskal në prill./Përshtati nga CNBC, ekofin.al
