Shqipëria ka ndërmarrë disa nisma ligjore në vitet e fundit, ku ndër më të rëndësishmet kanë qenë Reforma në Drejtësi, hapja e kapitujve për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, reforma e pensioneve, rishikimi i planit për energjinë dhe ndryshimet klimatike etj.
Por sa të kënaqur janë shqiptarët me ndryshimet që po ndodhin në vend?
Sipas Sondazhit të zhvilluar nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) 37% e të anketuarve janë shprehur se janë të kënaqur me ndryshimet dhe se ato po ecin në rrugën e duhur, përkundrejt 35% që nuk janë fare të kënaqur dhe mendojnë se ndryshimi është i ngadaltë.
Grupmosha 56+ përbën edhe përqindjen më të madhe të atyre që janë të kënaqur, të ndjekur nga 38% me grupmoshën 36-55. Më të pakënaqur me reformat janë të rinjtë e grupmoshës 18-35 me 38%.
Pyetjes se sa efektiv e shohin systemin gjyqësor në Shqipëri vetëm 11% e të anketuarve e shohin si shumë efektiv dhe 48% mendojnë se është disi efektiv, përkundrejt 16 % që nuk e shohin fare si efektiv këtë sistem. Megjithatë për 47% e shqiptarëve të anketuar rezultati më i mirë i reformës në drejtësi ka qenë krijimi i SPAK-ut, ndërsa për 27 % rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndër gjërat më të rëndësishme që kanë ngelur për t’u bërë, 8% e shqiptarëve shohin luftën kundër korrupsionit dhe 6% hetimin dhe ndëshkimin e politikanëve dhe qeveritarëve.
Nivelin më të lartë të korrupsionit 26 % e të anketuarve e shohin në shërbimin mjekësor, arsim dhe forcat e policisë, të ndjekur me përqindje të barabartë me 17% nga Kabineti i Kryeministrit dhe gjyqësori.
Si dështimet më të mëdha të qeverisë aktuale qëndrojnë pensionet për 11% të të anketuarve, ekonomia 8%, migrimi 8%, korrupsioni 7 %, ndërsa ndër sukseset renditet infrastruktura me 20 % të atyre që e vlerësojnë “shumë mirë” dhe 47% që e vlerësojnë “disi mirë”, të ndjekur nga hapat drejt anëtarësimit të Bashkimit Evropian 16 % të atyre që e vlerësojnë “shumë mirë” dhe 49 % që e vlerësojnë “disi mirë”.
Vetëm 17% e të anketuarve e vlerëson “shumë mirë” performancën e qeverisë, kundrejt 15% që e vlerësojnë “shumë keq”. Përqindja më e madhe e atyre që e vlerësojnë “shumë mirë” i përket grupmoshës 56+.
Për të kontrolluar organet e reja të drejtësisë përfshirë edhe SPAK-un, 46 % e shqiptarëve të anketuar u besojnë më shumë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndjekur nga 37 % e atyre që i besojnë Bashkimit Evropian./ekofin.al

