Shqipëria do të mbajë zgjedhje parlamentare më 11 maj 2025. Anketa e opinionit publik nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) përcjell të dhëna për pjesëmarrjen e shqiptarëve brenda vendit dhe tendencat e votimit.
Sipas të dhënave, 47% e të anketuarve u shprehën se do të votojnë këto zgjedhje, ndërsa 35% thanë se është e mundshme që do të votojnë. Vetëm 9% me gjasë nuk do të shkojnë për të votuar.
Përqindja më e madhe sipas grupmoshës që janë përgjigjur se do të votojnë është 56+ me 53%, pasuar nga grupmosha 36-55 me 45% dhe grupmosha 18-35 me 39%.
Sipas gjinisë, kryesojnë meshkujt me 49%, 5 % më shumë sesa femrat me 44%.
Përqindja më e madhe e atyre që do të votojnë, 48% kanë arsim fillestar, ndërsa kategoria e të shkolluarve me gjimnaz ose me universitet përbën 46%. Sipas profesionit kryesojnë grupi i shtëpiakëve, pensionistëve dhe studentëve me 51%, të ndjekur nga grupi i të punësuarve me 46% dhe personat e papunë me po 46%.
Pyetjes pse nuk do të votonin në zgjedhjet parlamentare të 2025, 22% e të anketuarve janë shprehur se vota e tyre nuk do të kishte rëndësi, ndërsa 19% citojnë mosbesimin në zgjedhjet parlamentare. Për 15% e të anketuarve asnjë nga partitë ose kandidatët nuk inspiron më.
Në përqindjet më të ulëta të përgjigjeve kryesojnë arsyet e bojkotimit të zgjedhjeve me 14%, asnjë nga partitë apo kandidatët përfaqësojnë këndvështrimin tim me 11%; mospasja rëndësi e zgjedhjeve 8%. Vetëm 1% e të anketuarve nuk besojnë se vota e tyre është anonime dhe po 1 % janë shprehur se nuk do të kenë kohë të shkojnë të votojnë.
Çështjet madhore që do të ndikonin në votë
Midis të anketuarve që kanë identifikuar një çështje për t’u zgjidhur si problemi më i madh me të cilin përballet vendi, janë shprehur se ajo çështje do të ishte e rëndësishme për të vendosur se kujt do t’ia jepnin votën e më konkretisht pensionet me 71%, papunësia 69%, korrupsioni me 68% dhe kostoja e jetesës me 61%.
Sa i përket lirisë së zgjedhjeve, 42% besojnë se janë disi të lira dhe të drejta, ndërsa 28% besojnë se me shumë mundësi janë jo të lira dhe të drejta. Vetëm 16 % besojnë se janë absolutisht të tilla kundrejt 12% që besojnë se nuk janë aspak të tilla.
Ndërsa sipas gjinisë ka një barazi 16% të atyre që besojnë se janë absolutisht të lira, kryesojnë gratë me 44 % në kategorinë që besojnë se ndoshta janë të lira dhe të drejta, të ndjekur nga burrat me 40%.
Arrestimi i Ilir Metës dhe ndikimi në perceptimin e zgjedhjeve
Arrestimi i Ilir Metës duket se ka ndikuar në perceptimin e lirisë së zgjedhjeve konkretisht me rritjen 12% të ndjesisë se janë zgjedhje të lira e të barabarta. 25% besojnë se janë absolutisht të tilla pas arrestimit të tij dhe 47% mendojnë se me gjasë do të jenë të tilla nga 40% që besonin këtë gjë para arrestimit të tij.
Rajoni jugperëndimor kryeson me 31% besimin se zgjedhjet janë absolutisht të lira e të barabarta, ndjekur nga rajoni juglindor. Veriu ka përqindjen më të vogël me 9% dhe njëkohësisht kryeson me 38% besimin se me gjasë nuk janë të lira, ndërsa rajoni qendror kryeson me 16% besimin se nuk janë aspak të drejta dhe të barabarta.
Sondazhi gjithashtu tregon se 59% e atyre që besojnë se me gjasë nuk do të jenë të lira, synojnë të votojnë për Partinë Demokratike, ndërsa 62% e atyre që besojnë se me gjasë janë zgjedhje të lira, do të votonin për Partinë Socialiste. Kategoria që besojnë se zgjedhjet janë absolutisht të lira, 28% do të votonin për Partinë Socialiste, ndërsa 4 % për Partinë Demokratike.
Referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare, 91% e të anketuarve shprehën se nuk kanë votuar për ndonjë parti tjetër përveç partive të mëdha.
51% u shprehën se nuk do të suportonin partinë në zgjedhjet 2025, nëse ajo do të kufizonte SPAK-un në punën e tij, ndërsa 35% u shprehën se nuk do të bënte ndonjë diferencë. Krahasuar midis rajoneve kryeson juglindja me 65%, ndjekur nga veriu me 54% me pas nga rajoni qendror me 49%./ekofin.al

