Situata e shkaktuar nga moti i keq në vend po shkon gradualisht drejt normalizimit, megjithatë temperaturat e ulëta, reshjet e borës, rrëshqitjet e dherave dhe prurjet e larta të lumenjve vijojnë të krijojnë problematika në disa zona, kryesisht rurale dhe malore. Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile mbeten në terren dhe në gatishmëri të plotë.
Qarku Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës moti paraqitet i kthjellët, por me rënie të ndjeshme të temperaturave. Rruga e Qafës së Çajupit vijon të jetë e bllokuar, ndërsa puna për hapjen e saj do të vazhdojë edhe sot nga kontraktori dhe UK Gjirokastër. Bashkia Gjirokastër po punon për largimin e inerteve në lagjet Dunavat dhe Manalat, si dhe në përroin e Sopotit në fshatin Lazarat. Probleme raportohen edhe në fshatin Nokovë, njësia administrative Lunxhëri.
Në Bashkinë Libohovë, në Njësinë Administrative Zagori, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë janë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave, ndërsa po shqyrtohen mundësitë për ndërhyrje për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit.
Në Bashkinë Memaliaj, një rrugë e brendshme në njësinë administrative Memaliaj (fshat) vijon të jetë e bllokuar, duke izoluar 5 banesa. Në fshatin Tosk-Martalloz, njësia administrative Luftinjë, rrëshqitjet e dherave rrezikojnë një banesë, ndërsa ndërhyrja me mjete është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë. Rrëshqitje të përsëritura raportohen edhe në fshatin Levan, njësia administrative Krahës. Në Bashkinë Dropull nuk raportohen problematika.
Në Bashkinë Përmet vijon puna për pastrimin e dherave në pjesën e sipërme të lagjes Sede. Ndërsa në Bashkinë Këlcyrë, rrugët e fshatrave Luar (Njësia Administrative Sukë) dhe Psar (Njësia Administrative Ballaban) janë të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave. Në Psar, ndërhyrja është pezulluar për shkak të rritjes së nivelit të lumit Dëshnicë dhe pritet të nisë sapo niveli i ujit të ulet.
Në Bashkinë Tepelenë, akset Salari–Nivicë, Dukaj–Sinanaj dhe Subash–Hormovë (rruga e vjetër) janë të paaksesueshme, ndërsa problematika paraqet edhe rruga e brendshme e varrezave Turan. Në aksin Tepelenë–Gjirokastër, pranë Shkallës së Zezë, vijon pastrimi dhe qarkullimi kryhet me një korsi. Në Memaliaj, niveli i ujit ka arritur në 3.5 metra dhe situata po monitorohet në vijimësi.
Qarku Elbasan
Qarku i Elbasanit vijon të përballet me mot të ftohtë ekstrem, me temperatura që në zonat malore zbresin deri në -15°C. Në aksin Elbasan–Qafë Thanë janë regjistruar reshje dëbore, por rruga është pastruar dhe kriposur, duke lejuar qarkullim normal. Akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë (aksi i vjetër nga Krraba) janë pa dëborë, por vijon kriposja në pikat problematike.
Prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës janë ulur dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik. Vijojnë shkarkimet nga HEC Banjë me 290 m³/sek, ndërsa shkarkimi total arrin në 390 m³/sek. Vendimi për vijimin e tyre pritet në orët e paradites. Probleme me energjinë elektrike raportohen në njësitë administrative Tunjë, Kushovë dhe Skënderbegas në Bashkinë Gramsh, ku OSHEE parashikon zgjidhje gjatë orëve në vijim.
Qarku Durrës
Në zonën e Katundit të Ri janë evakuuar mbrëmjen e kaluar 6 familje, të cilat ishin të përmbytura dhe kishin refuzuar më herët largimin nga banesat. Evakuimi u krye si masë sigurie pas rritjes së prurjeve në lumin Erzen. Situata në lagjet periferike të Durrësit raportohet në përmirësim, por prani uji vijon të ketë në Katundin e Ri, Sukth dhe në rrugën Kthesa e Perlatit Sukth–Hammallaj.
Qarku Dibër
Temperaturat e ulëta, deri në -15°C, kanë sjellë bllokime nga bora dhe akulli. Në Bashkinë Dibër, rruga Peshkopi–Lurë është e pakalueshme, ndërsa Peshkopi–Selishtë kalohet vetëm me zinxhirë. Rrugë të brendshme vijojnë të jenë të bllokuara në disa njësi administrative.
Në Bashkinë Bulqizë, rruga që lidh Qytetin e Vjetër me Qytetin e Ri pranë terminalit është e bllokuar nga uji dhe akulli, ndërsa problematika ka edhe në njësitë Trebisht, Ostren, Martanesh, Zerqan dhe Fushë Bulqizë. Në Bashkinë Mat, disa rrugë në njësinë Macukull janë të bllokuara nga bora, ndërsa rruga e njësisë Derjan rrezikon të bllokohet. Akset nacionale janë përgjithësisht të kalueshme, por në disa segmente kërkohen goma dimërore.
Qarku Korçë
Qarku i Korçës vijon të përballet me reshje bore, temperatura të ulëta dhe rrëshqitje dherash. Familje janë evakuuar në fshatrat Cërravë dhe Dardhas në Bashkinë Pogradec. Rrugët Dunicë–Trebinjë dhe Zall–Torra në Proptisht mbeten të pakalueshme. Në akset nacionale qarkullimi kryhet me goma dimërore dhe vijojnë pastrimet e kriposjet, ndërsa problematika kryesore mbeten aluvionet me baltë nga skarpatat.
Qarku Shkodër
Situata hidrologjike në Bashkinë Shkodër paraqitet e qëndrueshme. Lumenjtë Buna dhe Drin janë nën kuotat kritike dhe nuk raportohen banesa të përmbytura. Prania e ujit është e kufizuar kryesisht në tokat bujqësore, rreth 945 hektarë, ndërsa qarkullimi i mjeteve është i garantuar me përjashtim të disa segmenteve të ndikuara nga ngritja e ujit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat problematike, deri në stabilizimin e plotë të situatës.
