Depozitat në bankat shqiptare propozohet të sigurohen deri në 6 milionë lekë për çdo depozitues, nga kufiri aktual prej 2,5 milionë lekësh. Rritja parashikohet të zbatohet nga 1 korriku 2027, sipas projektligjit të ri “Për sigurimin e depozitave”, i cili zgjeron kategoritë e përfituesve, vendos mbrojtje të posaçme për disa shuma të mëdha të përkohshme dhe ndryshon mënyrën se si bankat financojnë skemën.
Kufiri i propozuar për bankat është 3,5 milionë lekë më i lartë se niveli aktual, ose një rritje prej 140%. Për shoqëritë e kursim-kreditit, mbulimi standard do të mbetet deri në 2 milionë lekë për depozitues deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në atë moment, projektligji parashikon që mbulimi të arrijë kundërvlerën në lekë të 100 mijë eurove, si për bankat, ashtu edhe për shoqëritë e kursim-kreditit.
Ndryshimet janë ende propozime dhe zbatimi i tyre varet nga miratimi i projektligjit. Dokumenti synon të zëvendësojë ligjin e vitit 2014 dhe është hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me bashkëpunimin e Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe asistencën teknike të FINSAC të Bankës Botërore.
Mbulimi prej 6 milionë lekësh do të zbatohet mbi shumën e përgjithshme të depozitave të pranueshme që një depozitues ka në të njëjtën bankë. Kjo do të thotë se llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit dhe depozitat me afat do të mblidhen së bashku për llogaritjen e kompensimit, pavarësisht numrit të tyre apo monedhës në të cilën mbahen. Në përllogaritje përfshihet edhe interesi i akumuluar deri në datën e ngjarjes së sigurimit.
Për shembull, nëse një individ ka dy depozita nga 4 milionë lekë në të njëjtën bankë, shuma e tyre do të llogaritet së bashku dhe mbulimi standard do të jetë deri në 6 milionë lekë. Kur depozitat mbahen në banka të ndryshme anëtare të skemës, kufiri zbatohet veçmas për secilën bankë. Depozitat në valutë do të konvertohen në lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë në datën e ngjarjes së sigurimit.
Për depozitat e përbashkëta, pjesa që i takon secilit titullar do të përfshihet në llogaritjen individuale të mbulimit. Nëse kontrata nuk përcakton ndryshe, titullarët do të konsiderohen se zotërojnë pjesë të barabarta.
Një nga risitë kryesore është mbrojtja e posaçme për depozitat e individëve me balancë të përkohshme, për të cilat parashikohet mbulim deri në 15 milionë lekë. Bëhet fjalë për shuma që burojnë nga transaksione për pasuri të paluajtshme për banim, përfitime sociale të lidhura me ngjarje të caktuara jetësore, përfitime nga sigurimi dhe risigurimi, si dhe dëmshpërblime për dënime të padrejta penale.
Në kategorinë e përfitimeve sociale përfshihen ngjarje si martesa, divorci, pensioni, pushimi ose largimi nga puna, lindja, paaftësia, trashëgimia apo vdekja, sipas kushteve dhe dokumentacionit të kërkuar. Që kjo mbrojtje të zbatohet, fondet duhet të jenë transferuar në llogari ose të jenë bërë ligjërisht të transferueshme gjatë një periudhe jo më shumë se gjashtë muaj përpara ngjarjes së sigurimit.
Ky regjim synon të mbrojë individët që, për shkak të një transaksioni apo ngjarjeje të veçantë, mbajnë përkohësisht në bankë shuma që tejkalojnë kufirin standard. Projektligji përcakton se kompensimi për këto depozita nuk agregohet me kompensimin standard të depozituesit. Për të përfituar, individi duhet të paraqesë kërkesë dhe dokumentacion justifikues pranë Agjencisë, jo më vonë se tre muaj nga data e ngjarjes së sigurimit.
Në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, mbrojtja e posaçme për balancat e përkohshme parashikohet të arrijë kundërvlerën në lekë të 500 mijë eurove, sipas kushteve të përcaktuara në ligj.
Projektligji zgjeron edhe bazën e depozituesve që mund të përfitojnë nga skema. Sipas relacionit, do të përfshihen kategori që aktualisht janë të përjashtuara, si drejtorët dhe administratorët e bankave dhe familjarët e tyre, aksionarët që zotërojnë të paktën 5% të kapitalit, si dhe anëtarët e organeve drejtuese të shoqërive të kursim-kreditit.
Mbrojtja do të shtrihet edhe te personat juridikë që nuk përfshihen në përjashtimet ligjore, ndër të cilët organizatat jofitimprurëse, fondacionet dhe partitë politike. Relacioni përmend gjithashtu depozitat e pushtetit vendor dhe të njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, si shkollat dhe spitalet.
Megjithatë, skema do të vijojë të ketë përjashtime. Ndër to janë depozitat e institucioneve financiare për llogari të tyre, të shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, të fondeve të pensionit dhe të subjekteve të investimeve kolektive. Përjashtohen edhe depozitat që lidhen me veprimtari kriminale për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në projektligj.
Një ndryshim tjetër është aktivizimi i kompensimit edhe kur Banka e Shqipërisë merr vendim për padisponueshmërinë e depozitave. Kështu, mbrojtja nuk do të lidhet vetëm me vendosjen e bankës apo shoqërisë së kursim-kreditit në likuidim të detyruar. Ajo do të mund të aktivizohet edhe kur depozitat që institucioni duhet të paguajë nuk janë të disponueshme, pas vendimit përkatës të Bankës së Shqipërisë.
Afati i përgjithshëm i propozuar për vënien në dispozicion të kompensimit është brenda 14 ditëve pune nga vendimi për likuidimin e detyruar ose padisponueshmërinë e depozitave. Në datën e anëtarësimit në BE, ky afat parashikohet të shkurtohet në shtatë ditë pune.
Për depozitat me balancë të përkohshme, afati do të jetë deri në 30 ditë pune nga paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit të plotë. Pas anëtarësimit në BE, për këto depozita dhe disa kategori të tjera të posaçme do të zbatohet afati deri në 20 ditë pune.
Për kompensimin standard, projektligji përcakton shprehimisht se depozituesi nuk ka nevojë të paraqesë kërkesë për përfitimin e shumës. Pagesat do të mund të kryhen përmes bankave agjente, subjekteve të licencuara për shërbime pagesash ose drejtpërdrejt nga Agjencia në llogarinë e depozituesit. Shumat që tejkalojnë kundërvlerën në lekë të 10 mijë eurove do të paguhen përmes transfertave ose mjeteve të tjera që garantojnë gjurmueshmërinë e fondeve.
Relacioni evidenton edhe heqjen e zbritjes së kësteve të kredisë me vonesë nga shuma e kompensimit. Sipas argumentimit të dokumentit, marrëdhënia e depozituesit si huamarrës duhet të trajtohet gjatë procedurave të likuidimit dhe të mos cenojë përfitimin e tij nga skema e sigurimit.
Depozituesit do të kenë të drejtë ta përfitojnë kompensimin brenda pesë vjetëve nga ngjarja e sigurimit. Nëse likuidimi i detyruar zgjat më shumë, kjo e drejtë do të shtrihet deri në përfundimin e tij. Ankesat për refuzimin e pagesës ose për shumën e kompensimit do të shqyrtohen nga Agjencia brenda 30 ditëve kalendarike, me mundësi ankimi të vendimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Përveç pagesës së drejtpërdrejtë të depozituesve, projektligji lejon përdorimin e fondeve të skemës për të financuar transferimin e aktiveve dhe detyrimeve, përfshirë depozitat, nga një institucion në likuidim te një institucion tjetër blerës. Synimi është që depozituesit të ruajnë mundësinë e përdorimit të depozitave. Financimi do t’u nënshtrohet kufijve të përcaktuar në projektligj dhe nuk mund të tejkalojë më të voglën ndërmjet shumës së depozitave të siguruara dhe shumës së nevojshme për të mbuluar diferencën mes aktiveve dhe detyrimeve të transferuara.
Reforma ndryshon edhe mënyrën e financimit të skemës nga bankat. Nga 1 korriku 2027, kontributi vjetor i primit propozohet të llogaritet sipas shumës së depozitave të siguruara dhe profilit të rrezikut të secilës bankë. Bankat që marrin përsipër rrezik më të lartë do të paguajnë më shumë, ndërsa ato me rrezik më të ulët më pak.
Për shoqëritë e kursim-kreditit, deri në anëtarësimin në BE do të ruhet modeli i primit tremujor me normë të njëjtë. Projektligji propozon që kjo normë të bëhet 0,125% e mesatares së depozitave të siguruara, nga 0,075% që përcaktohet në ligjin aktual, sipas relacionit. Kalimi në prime të bazuara në rrezik për këto shoqëri do të bëhet në momentin e anëtarësimit.
Për fondin e sigurimit të depozitave në banka parashikohet një nivel i synuar jo më i ulët se 0,8% e depozitave të siguruara. Nëse fondi tejkalon nivelin e miratuar, Këshilli Drejtues i Agjencisë mund të vendosë uljen ose ndërprerjen e përkohshme të pagesës së primit. Në rast se burimet nuk mjaftojnë për të përballuar një ngjarje sigurimi, parashikohen kontribute të jashtëzakonshme, parapagime primesh dhe huamarrje. Huaja nga buxheti i shtetit do të përdoret pasi të jenë shteruar burimet e tjera të përcaktuara.
Bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit do të kenë detyrime më të qarta për informimin e klientëve. Përpara lidhjes së kontratës së depozitës, do të duhet të japin një fletë informuese me kufijtë e mbulimit, përjashtimet, afatet e kompensimit dhe të dhënat e skemës. Projektligji ndalon përdorimin në reklama të referencave që krijojnë përshtypjen e sigurimit të pakufizuar të depozitave.
Në rast bashkimesh ose ndryshimesh të ngjashme, depozituesit e prekur do të kenë të drejtë të tërheqin ose transferojnë pa penalitet pjesën e depozitave që tejkalon kufijtë e mbulimit, brenda tre muajve nga njoftimi.
Pas anëtarësimit në BE, do të aktivizohen edhe dispozitat për mbrojtjen e fondeve që institucionet financiare mbajnë në banka për llogari të klientëve, si dhe të depozitave në llogari të veçanta për qëllime profesionale në përfitim të të tretëve. Relacioni përmend si shembuj institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike, noterët, avokatët dhe agjencitë e udhëtimit. Mbrojtja do të kushtëzohet nga identifikimi i përfituesve dhe plotësimi i kërkesave ligjore. /ekofin.al
