Tregu i sigurimeve po përballet me një rritje dukshëm më të shpejtë të faturës së dëmeve krahasuar me të ardhurat nga primet. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 5.41 miliardë lekë për dëme, 12.52% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e dëmeve është më shumë se katër herë më e lartë se ajo e primeve të shkruara bruto, të cilat arritën në 15.92 miliardë lekë, duke u zgjeruar me vetëm 2.86% me bazë vjetore. Kjo diferencë tregon se, megjithëse tregu vijon të zgjerohet, kompanitë po përballen me një faturë gjithnjë e më të lartë për kompensimin e të siguruarve.
Të dhënat për periudhën janar-korrik tregojnë gjithashtu se numri i dëmeve të paguara është rritur me 5.19%. Fakti që vlera e pagesave është rritur me 12.52%, ndërsa numri i rasteve vetëm me 5.19%, sugjeron një rritje të vlerës mesatare të dëmit të paguar.
Presioni më i madh vjen nga sigurimet Jo-Jetë, të cilat dominojnë tregun shqiptar me 91.13% të totalit. Në këtë segment, kompanitë mblodhën rreth 14.5 miliardë lekë prime, 2.61% më shumë se një vit më parë, ndërsa dëmet e paguara arritën në 5.01 miliardë lekë, duke u rritur me 14.52%.
Një pjesë e rëndësishme e faturës lidhet me sigurimet e detyrueshme motorike, të cilat vazhdojnë të përbëjnë shtyllën kryesore të tregut Jo-Jetë. Vetëm për këto produkte, dëmet e paguara arritën në rreth 3.5 miliardë lekë, ose 12.36% më shumë se në janar-korrik të vitit të kaluar.
Edhe këtu diferenca mes numrit dhe vlerës së dëmeve është e dukshme. Numri i dëmeve në sigurimet e detyrueshme motorike u rrit me vetëm 3.24%, ndërsa shuma e paguar për to u zgjerua me 12.36%. Ndërkohë, primet e këtij portofoli u rritën me 4.37%, në rreth 9.73 miliardë lekë.
Në ecurinë e sigurimeve motorike vijon të ketë ndikim edhe zbatimi i faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, i parashikuar në Rregulloren nr. 156, datë 19 shtator 2024. Ndërsa dy produktet e tjera të sigurimeve të detyrueshme motorike, Kartoni Jeshil dhe sigurimi kufitar, kanë shënuar rënie, e lidhur me lehtësimin e lëvizjes së automjeteve drejt vendeve kufitare anëtare të CEFTA-s.
Por rritja më e fortë e pagesave është regjistruar te sigurimet vullnetare Jo-Jetë. Kompanitë paguan rreth 1.51 miliardë lekë dëme në këtë segment, plot 19.89% më shumë se një vit më parë. Në të kundërt, primet e mbledhura ranë me 0.78%, në rreth 4.77 miliardë lekë.
Kjo krijon një kontrast edhe më të fortë: kompanitë kanë arkëtuar më pak prime nga sigurimet vullnetare, por kanë paguar pothuajse 20% më shumë për dëme.
Në këtë ecuri kanë ndikuar veçanërisht sigurimet nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtimet e tjera në pronë. Pikërisht këto kategori kanë ndikuar në rritjen e faturës së dëmeve, ndërkohë që në krahun e primeve kanë regjistruar rënie. Rritja në klasat e aksidenteve, shëndetit dhe përgjegjësisë civile nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar plotësisht këtë efekt.
Edhe sigurimet e Jetës, megjithëse përfaqësojnë vetëm 8.87% të tregut, kanë regjistruar rritje të pagesave. Dëmet e paguara arritën në rreth 240 milionë lekë, 13.69% më shumë në raport me një vit më parë. Numri i dëmeve të paguara u rrit edhe më fort, me 23.30%, zhvillim që lidhet kryesisht me kontratat “flexi plan”.
Në të njëjtën periudhë, primet e sigurimit të Jetës u rritën me 5.75%, duke kaluar nivelin e 1.41 miliardë lekëve. Ecuria e këtij segmenti vazhdon të ndikohet në një masë të rëndësishme nga produktet e lidhura me kreditimin dhe kontratat në grup.
