Tregu i sigurimeve po vijon të rritet me ritme të qëndrueshme edhe përgjatë këtij viti, edhe pse efekti i zhvlerësimit të mëtejshëm të euros (disa produkte janë në monedhën evropiane) ka nisur të japë impakt. Kjo u vu re në një ngadalësim të ritmeve të rritjes në muajin gusht në 6.64%, krahasuar me dy muajt paraardhës.
Në sigurimet e Jo-Jetës, tregu që dominon që prej fillimeve të tij tregun e sigurimeve, me afro 92% të totalit të primeve të shkruara bruto, rritja e pjesës më të madhe të shoqërive të sigurimeve ka qënë rrotull 7%. E vetmja shoqëri që vijon të ketë rritje dyshifrore këtë vit është Sigma Vienna Insurance Group. Për periudhën janar-gusht 2024, primet e shkruara bruto të kësaj shoqërie u rritën me 13.45%.
Ekofin ka analizuar të dhënat e publikuara nga AMF për produktet e veçanta të sigurimit Jo-Jetë. Rezulton se sa i përket sigurimit TPL, i gjithë tregu ka një rritje konstante të primeve me 10.5%. Në kartolin jeshil rritja vlerësohet e dobët sa i përket të ardhurave nga primet, edhe pse ka rritje të konsiderueshme në numër kontratash, por duke zhvlerësimi i euros ka ndikuar në rritjen e tregut me vetëm 1.86% në 8-mujor.
Diferenca është bërë të disa nga produktet e sigurimit vullnetar, siç është rasti i sigurimit të pronës. Këtu Sivig ka një performancë shumë të mirë, me rritjen më të madhe në treg për 8-mujorin, afro 28%, duke arritur në mbi 195 milionë lekë prime, krahasuar me 153 milionë lekë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithashtu, Sivig ka arritur të arkëtojë më shumë para edhe në produktin “aksidentet dhe shëndeti”, ku sërish rezulton shoqëria me rritjen më të lartë në treg për 8-mujorin, me 11.7%, edhe pse në vlerë nominale rritja nga viti në vit është vetëm 7 milionë lekë, kjo edhe për faktin se shëndeti ende rezulton i nënsiguruar nga shqiptarët, që sigurojnë makinat (pasi i kanë me sigurim), por “harrojnë” shëndetin. Kompania me mëmën austriake ka performuar mirë edhe sa i përket produktit tjetër të sigurimit të shëndetit, atë për sigurimin e sëmundjeve, ku ka një rritje të qëndrueshme prej 11%, e dyta në nivel tregu pas Sigalit.
Një produkt tjetër që ka ndikuar direkt në rritjen e fortë të Sivig është ai që ka të bëjë me sigurimin e përgjegjësive civile. Në këtë rast, primet e arkëtuara për 8-mujorin e këtij viti janë 47.5% më të larta, ose 15.6 milionë lekë më shumë sesa 8-mujori i vitit 2023. Rritje ka edhe sigurimi i përgjegjësisë në ndërtim, një produkt që vitin e kaluar zotëronte një portofol të papërfillshëm për Sivig. Në 8-mujorin e këtij viti, janë arkëtuar rreth 16 milionë lekë prime për këtë lloj sigurimi. Diferencat në vlerë nominale duken vërtet të vogla, por fakt, edhe shifrat e tregut të sigurimeve, duke i hequr atë të sigurimit TPL, mbeten sërish të tilla, pasi tregu i produkteve vullnetare mbetet në nivel jo shumë të zhvilluar. /ekofin.al

