Shqiptari Uljan Sharka godet sërish. Kompania iGenius, e drejtuar prej tij njoftoi se ka ndërtuar superkompjuterin më të madh në botë, për Inteligjencën Artificiale, të quajtur “Colosseum”.
iGenius, një kompani milaneze e udhëhequr nga shqiptari Uljan Sharka, është shumë e njohur tashmë për lëshimin e softuerit të AI që i dha etiketën e OpenAI italiane.
Kompania milaneze e cila ka seli gjithashtu në Shtetet e Bashkuara njoftoi lançimin e një prej SuperPOD-ve më të mëdhenj Nvidia DGX në botë, të pajisur me superçipet tashmë të famshme Nvidia Grace Blackwell, për të mbështetur shpërndarjen e modeleve të avancuara të AI kushtuar klientëve në sektorin financiar, shëndetësi dhe sektorin publik globalisht.
Superkompjuteri Colosseum i shpjeguar nga iGenius është i pajisur me sisteme Nvidia Dgx GB200 që përmbajnë mijëra superçipa Nvidia Grace Blackwell të krijuar për trajnime në kohë reale dhe konkluzione për modelet LLM me mbi një trilion parametra.
Mes bashkëpunëtorëve dhe njëkohësisht mbështetësve dhe investitorëve të parë të kompanisë së drejtuar nga shqiptari iGenius, rezulton të jetë grupi më i madh bankar në Itali, Intesa Sanpaolo, përmes shoqërisë së saj të menaxhimit të aseteve, ndër më të mëdhatë në Europë, Eurizon Asset Management. Kjo shoqëri operon së fundmi edhe në Shqipëri, me agjent për të marketuar dhe shpërndarë fondet europiane Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Në shtator të vitit të kaluar, grupi Intesa Sanpaolo, si banka më e madhe në Itali, njoftoi nënshkrimin e një partneriteti strategjik me iGenius, në funksion të përdorimit të inteligjencës artificiale në inovacion dhe biznes. Intesa Sanpaolo filloi në këtë mënyrë përdorimin e “Crystal”, e cila bazuar në teknologjinë GPT arrin të krijojë analiza të thelluara dhe sisteme efektive vendimarrëse. Platforma është në gjendje të procesojë sasi shumë të mëdha të dhënash, duke gjeneruar prej tyre zgjidhje të targetuara për projektet e biznesit të bankës.
Përveç implementimit të zgjidhjeve të biznesit, të ofruara përmes inteligjencës artificiale të kompanisë iGenius, grupi bankar Intesa Sanpaolo ka mbështetur përmes gjenerimit të konsiderueshëm të fondeve kompaninë e drejtuar nga shqiptarja Uljan Sharka, duke i besuar që në fazën kur ajo konsiderohej si një start-up. Tashmë, ajo ka arritur të fitojë edhe statusin e Unicorn-it, kategoria e startupeve më elitare të inteligjencës artificiale në skenën evropiane dhe në botë. /ekofin.al
