Shqipëria do të jetë e pranishme me një pavijon kombëtar në BIOFACH 2026, panairin më të madh dhe më prestigjioz në botë për industrinë organike, i cili zhvillohet nga 10 deri më 13 shkurt në Nuremberg, Gjermani. Në këtë event ndërkombëtar, vendi ynë do të përfaqësohet nga pesë kompani shqiptare, të cilat do të prezantojnë një gamë produktesh bio dhe organike, përfshirë fruta dhe perime të freskëta, vaj ulliri, si edhe produkte të tjera agro-ushqimore të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare.
Sipas Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), pjesëmarrja në BIOFACH ka një rëndësi të veçantë për promovimin e produkteve “Made in Albania”, duke i ekspozuar ato përballë blerësve, distributorëve dhe partnerëve më të rëndësishëm globalë të sektorit organik. Ky prezantim synon jo vetëm rritjen e njohjes së cilësisë së produkteve shqiptare, por edhe krijimin e kontratave të reja eksporti dhe forcimin e pranisë së tyre në tregjet europiane dhe ndërkombëtare.
AIDA vlerëson se përfaqësimi në panaire si BIOFACH është një instrument kyç për ndërtimin e imazhit të Shqipërisë si eksportues i produkteve të qëndrueshme, organike dhe me standarde të larta sigurie ushqimore. Në këtë kuadër, pjesëmarrja në panairin e Nurembergut është pjesë e një strategjie më të gjerë për mbështetjen e bizneseve agro-ushqimore, rritjen e vlerës së eksporteve dhe diversifikimin e tregjeve.
Panairi BIOFACH konsiderohet një pikë referimi globale për industrinë organike, ku çdo vit marrin pjesë mijëra ekspozues dhe dhjetëra mijëra vizitorë profesionistë nga mbi 100 vende. Prania e Shqipërisë në këtë platformë pasqyron interesin në rritje për produktet shqiptare dhe vlerësimin që ato po fitojnë në tregjet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
AIDA ka intensifikuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare, duke organizuar pavijone kombëtare dhe duke mbështetur drejtpërdrejt kompanitë shqiptare në evente si SIAL, ANUGA, Fruit Logistica, Gulfood, si dhe panaire të tjera sektoriale në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi. Këto aktivitete synojnë të lidhin prodhuesit shqiptarë me rrjete ndërkombëtare shpërndarjeje dhe të rrisin ekspozimin e markës kombëtare “Made in Albania”.
Aktualisht, produktet bujqësore shqiptare eksportohen në rreth 85 tregje ndërkombëtare, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, SHBA-në, Zvicrën, Lindjen e Mesme dhe disa vende të Azisë. Produktet kryesore përfshijnë fruta dhe perime të freskëta si shegë, mollë, agrume, domate dhe speca, produkte të përpunuara si konserva, reçela dhe lëngje frutash, vaj ulliri, verëra dhe pije tradicionale, si edhe produkte bio, kërkesa për të cilat po rritet ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare.
Në 2–3 vitet e fundit, eksportet bujqësore shqiptare kanë shënuar një rritje të qëndrueshme prej 10–15% në vit, e nxitur nga modernizimi i sektorit, investimet në certifikime ndërkombëtare, përmirësimi i standardeve higjieno-sanitare dhe fokusimi në branding. Përdorimi i markës “Made in Albania” dhe promovimi i produkteve organike po kthehen në një avantazh konkurrues për Shqipërinë, duke rritur vlerën e shtuar të eksporteve dhe duke forcuar pozicionin e vendit në tregun global agro-ushqimor. /ekofin.al
