Nënshkruhet marrëveshja për projektin e vlerësimit të dëmtimeve në ndërtesa, një iniciativë që synon të krijojë një sistem më të unifikuar dhe më të shpejtë reagimi pas tërmeteve apo fatkeqësive të tjera natyrore në Shqipëri.
Marrëveshja u firmos nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në prani të Ambasadores së Zvicrës, Ruth Huber, ndërsa projekti do të zbatohet nga Instituti i Ndërtimit me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Nisma vjen në një moment kur çështja e sigurisë së ndërtesave dhe menaxhimit të emergjencave mbetet ende e ndjeshme, pas pasojave që la tërmeti i vitit 2019 dhe problematikave të evidentuara gjatë procesit të verifikimit të objekteve të dëmtuara.
Sipas projektit, fokusi do të jetë te unifikimi i standardeve teknike për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa, shmangia e praktikave të ndryshme të ekspertimit dhe krijimi i një mekanizmi më të koordinuar mes institucioneve që ndërhyjnë në terren gjatë emergjencave.
Marrëveshja parashikon gjithashtu trajnime profesionale për ekspertët dhe inxhinierët, si edhe rritje të kapaciteteve teknike për identifikimin e dëmtimeve strukturore, me synimin që reagimi pas fatkeqësive të jetë më i shpejtë, më profesional dhe më i besueshëm për qytetarët.


