Ndërkohë që i afrohemi fund të vitit Qeveria ka vendosur të akordojë një shumë lekësh për punonjësit shtetërorë.
15,000 lekë është ndihma e menjëhershme që do të përfitojnë këtë fundvit disa kategori punonjësish në njësitë e qeverisjes qendrore.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, që ka hyrë në fuqi menjëherë, i botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, përfshin punonjësit mbështetës dhe punonjës të tjerë të specialiteteve të ndryshme, organikë dhe me kontratë të përkohshme mbi 6 muaj, në njësitë e qeverisjes qendrore, të cilët paguhen me sistemin me 9 dhe 13 klasa.
Efektet financiare do të përballohen nga fondi i veçantë i buxhetit të shtetit.
Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Ministria e Financave, e cila do të alokojë fondet e nevojshme për përballimin e efekteve financiare për institucionet e përfshira në vendim. Ndërsa njësitë e qeverisjes qendrore do të të kryejnë veprimet financiare deri në datën 15 janar 2025.