Administrata Trump po e bën realitet shumë shpejt shkrirjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) duke njoftuar pjesën më të madhe të punonjësve, përveç një pjese të vogël të stafit në mbarë botën, se që nga kjo e hënë do të jenë me leje pa afat, ndërsa ka njoftuar të paktën 1600 nga punonjësit me bazë në SHBA se po pushoheshin nga puna.
Lëvizja ishte hapi i fundit dhe një nga hapat më të mëdhenj në atë që Presidenti Donald Trump dhe aleati i uljes së kostove Elon Musk thonë se është qëllimi i tyre për të shkrirë agjencinë e ndihmës dhe zhvillimit, e cila ekziston prej mbi gjashtë dekadash, në një fushatë për të ulur madhësinë e qeverisë federale.
Masa vjen pasi një gjykatës federal të premten lejoi administratën të ecë përpara me planin e saj për të larguar mijëra punonjës të USAID-it nga puna në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Gjykatësi hodhi poshtë kërkesë-paditë nga punonjësit për bllokim të përkohshëm të planit të qeverisë.
“Nga ora 23:59. EST të dielën, 23 shkurt 2025, i gjithë personeli i USAID-it me punësim të drejtpërdrejtë, me përjashtim të personelit të caktuar përgjegjës për funksionet kritike të misionit, udhëheqjen thelbësore dhe/ose programet e përcaktuara posaçërisht, do të vendosen në pushim administrativ globalisht,” shkruhej në njoftimet e nisura nga USAID për punonjësit, raporton The Associated Press.
Në të njëjtën kohë, agjencia tha në njoftimet për stafin se po fillonte një proces shkarkimi të quajtur reduktim i forcës që do të eliminonte 2,000 vende pune me bazë në SHBA. Një version i njoftimit i postuar më vonë në faqen e internetit të USAID-it e vendos numrin e pozicioneve të do të shkurtohen në 1600.
Administrata e USAID nuk dha asnjë sqarim të mëtejshëm pas këtij njoftimi. Gjithashtu, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk komentoi për The Associated Press, pasi u pyet në lidhje me njoftimet. Shkarkimet masive vijnë pas vendimit të mëparshëm të Presidentit Trup për ngrirjen e ndihmave dhe projekteve të USAID për një periudhë 3-mujore.
