Shitjet e banesave në Irlandë ranë ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas të dhënave të Eurostat. Irlanda ishte një nga katër vendet e BE-së që regjistruan rënie vjetore të shitjeve të banesave, ndërkohë që në total, shitjet e banesave në BE u rritën me 10%.
Numri i banesave të shitura, përfshirë ndërtimet e reja, ra me 10% në Irlandë, ndërsa rënie u shënua edhe në Maltë (-6.2%), Hungari (-5.7%) dhe Finlandë (-5.6%).
Sipas Kate Everett-Allen, drejtuese e kërkimeve rezidenciale evropiane në Knight Frank, “rënia 10% në Irlandë reflekton ende kufizimet në përballueshmërinë e çmimeve dhe mungesën e vazhdueshme të ofertës së banesave.”
Në vendet e tjera të BE-së, ku u regjistrua rritje e shitjeve, tabloja ishte e përzier: rritja vjetore varionte nga 2.2% në Danimarkë deri në 86.6% në Luksemburg, i cili ka një treg banesash shumë të vogël, ku ndryshimet e vogla ndikojnë ndjeshëm në statistika.
Tregjet e banesave në Slloveni dhe Lituani patën me rritje përkatësisht prej 34.8% dhe 24.4%, ndërsa Belgjika, Portugalia dhe Holanda shënuan gjithashtu rritje të konsiderueshme.
Everett-Allen vuri në dukje se ky variacion i gjerë i rezultateve reflekton reagime të ndryshme ndaj uljes së normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE). “BQE ka ndërmarrë tetë ulje të normave gjatë këtij cikli, por efektet po ndihen në mënyrë të pabarabartë për shkak të ndryshimeve në kushtet e financimit, nivelit të ofertës dhe kërkesës së brendshme,” tha ajo.
Qeveritë ndërhyjnë për të mbështetur blerësit e parë
Michael Polzler, CEO i rrjetit të pasurive të paluajtshme RE/MAX Europe, theksoi se faktorët specifikë të çdo vendi vazhdojnë të përcaktojnë performancën e tregjeve, me iniciativa qeveritare që synojnë të mbështesin blerësit e parë të banesave dhe të nxisin aktivitetin në segmentin më të përballueshëm të tregut.
“Në Portugali, për shembull, ndërhyrja e qeverisë ka sjellë si mundësi, ashtu edhe sfida,” tha ai.
Polzler shtoi: “Skema e Garancisë Publike ndihmoi shumë nën 35-vjeçarë të aksesojnë kredi hipotekare për herë të parë, por në të njëjtën kohë, shitësit panë mundësinë për të rritur çmimet.”
Në Francë, shitjet e banesave u rritën me 10.4%, ndërsa Spanja shënoi një rritje më të moderuar prej 2.5%. Nuk kishte të dhëna për Gjermaninë dhe Italinë.
Sipas Everett-Allen, rritja modeste prej 2.5% në Spanjë tregon normalizim të tregut pas bumit post-pandemik, me furnizim të kufizuar, veçanërisht në rajonet bregdetare dhe ishuj, që pengon volumin e transaksioneve.
Ndërkohë, rritja 10.4% në Francë sinjalizon rikuperim gradual pas një periudhe të dobët në 2023–2024, edhe pse dallimet rajonale mbeten dhe ndryshimet e pritshme tatimore mund të ndikojnë në drejtimin e tregut.
Në Norvegji (jashtë BE-së), shitjet e banesave u rritën me 10% gjatë kësaj periudhe.
Ndërsa të dhënat më të fundit për Poloninë, nga tremujori i fundit i vitit 2024, tregojnë një rënie vjetore prej 17.9%.
Sipas Polzler, skema e hipotekave me normë fikse 2% e qeverisë polake, e cila kishte nxitur kërkesën, është ndërprerë për shkak të kufizimeve buxhetore.
“Meqë ende nuk është shpallur një zëvendësues dhe normat e interesit mbeten të larta, shumë blerës po presin për të parë si do të zhvillohet tregu në 2026,” shtoi ai.
Franca udhëheq në numrin e shitjeve: Çerek milioni transaksione
Tregu i banesave ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin brenda BE-së, për shkak të ndryshimeve të mëdha në popullsi dhe madhësi tregu.
Në tremujorin e dytë të vitit 2025, Franca regjistroi gati çerek milioni shitje banesash (244,750).
Holanda renditet e dyta mes 12 vendeve të BE-së (dhe Norvegjisë) për të cilat janë të disponueshme të dhënat e Eurostat, me 63,709 banesa të shitura, një shifër dukshëm më e ulët se ajo e Francës.
Portugalia, Belgjika, Norvegjia dhe Hungaria regjistruan gjithashtu midis 32,000 dhe 38,000 shitje banesash gjatë këtij tremujori.
Çfarë po ndodh në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani?
Edhe pse Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar nuk përfshihen në të dhënat e Eurostat, Polzler vuri në dukje se normat fikse të kredive janë zbutur në Britani që nga fundi i vitit 2024, duke përmirësuar përballueshmërinë dhe duke u lejuar blerësve të marrin më shumë hua.
Së bashku me ndryshimet në taksën e Stamp Duty në prill, kjo ka ndihmuar në rritjen e numrit të transaksioneve.
Ndërkohë, Gjermania vazhdon të përballet me presion në tregun e saj të pasurive të paluajtshme për shkak të numrit të ulët të lejeve të ndërtimit, një tendencë që minon besimin afatgjatë në treg.
“Ky efekt është veçanërisht i dukshëm në qytetet ku banesat janë tashmë të pakta, dhe kufizimi i ofertës po shtyn çmimet edhe më lart,” përfundoi Polzler./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

