Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore që u zhvillua në Uashington DC, SHBA.
Sejko zhvilloi një takim me Antonella Bassani, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës të FMN-së dhe BB-së.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Bankën Botërore, veçanërisht përmes mbështetjes teknike dhe projekteve të realizuara përmes Kompanisë së Rregullimit të Sektorit Financiar, (FINSAC).
Guvernatori Sejko shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje dhe theksoi angazhimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
“Diskutuam zhvillimet pozitive ekonomike në vend, që karakterizohen nga rritja e qëndrueshme ekonomike, përmirësimi i financave publike, stabiliteti i tregjeve dhe forcimi i sektorit bankar”, u shpreh Guvernatori.
Sejko tha se “politikat monetare dhe financiare të Bankës së Shqipërisë mbeten të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe forcimit të qëndrueshmërisë financiare”, ndërsa theksoi rëndësinë e reformave strukturore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Guvernatori zhvilloi gjithashtu një takim me Riccardo Ercoli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bordin Ekzekutiv të FMN-së, në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës të FMN-së dhe BB-së.
Takimi u fokusua në një shkëmbim mendimesh mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe politikat makroekonomike të ndjekura nga autoritetet shqiptare.
“U vlerësua ecuria pozitive e ekonomisë, me rritje të qëndrueshme, inflacion në rënie dhe pritshmëri për rikthimin në objektiv gjatë vitit 2026. Politika monetare e ndjekur ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, pavarësisht sfidave nga tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Sejko.
Guvernatori theksoi se, sistemi bankar shqiptar mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe mirëkapitalizuar, ndërsa kursi i këmbimit ka shfaqur forcim të konsiderueshëm, duke reflektuar faktorë themelorë të ekonomisë dhe besimin e tregjeve.
Sejko shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndër vite dhe gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin me institucionin.
