Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, u shpreh gjatë një konference për shtyp se aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm, i mbështetur nga zgjerimi i turizmit, investimeve private dhe konsumi.
Sejko bëri të ditur se, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë. Teksa vuri në dukje se, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e mban ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.
Kjo ecuri, vijoi Sejko është pasqyruar në rritjen e vazhdueshme të punësimit, në nivelet minimale historike të normës së papunësisë, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat. Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të mbështesë rritjen e konsumit në ekonomi, por nga ana tjetër ai mban të larta edhe presionet e brendshme mbi inflacionin.
“Analiza e të dhënave të disponuara sugjeron se ekonomia shqiptare ka lëvizur në kahun e pritur. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni ka vijuar të bjerë, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje progresive. Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuar pozitivisht në këtë ecuri, nëpërmjet kontrollit të presioneve të brendshme inflacioniste dhe garantimit të funksionimit normal të tregjeve financiare”, tha Guvernatori.
