Në aktivitetin e lançimit të platformës ExportON, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, theksoi se eksporti shqiptar, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit, ndodhet përballë një momenti kyç zhvillimi, ku potenciali është i madh, por standardet e tregjeve ndërkombëtare janë më kërkuese se kurrë.
Në fjalën e tij përpara përfaqësuesve të biznesit dhe eksportuesve, ministri Salla u shpreh se ExportON synon të vendosë në një tryezë të vetme politikat e eksportit, financimin, standardet, promovimin dhe pengesat reale me të cilat përballet sektori privat, duke krijuar një dialog të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe sipërmarrjes.
Sipas ministrit, eksporti sot nuk përfaqëson më thjesht shitje jashtë vendit, por është i lidhur ngushtë me besueshmërinë, certifikimin dhe mbi të gjitha me garancinë që i ofrohet konsumatorit. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në këtë drejtim, duke përmendur se raporti eksport–import ka arritur në 1 me 3, nga 1 me 7 që ishte rreth 10 vite më parë, ndërsa synimi i qeverisë është që ky raport të përmirësohet më tej, drejt 1 import me 2 eksporte.
Ministri Salla vuri në dukje se eksportet shqiptare tashmë shtrihen në rreth 80 shtete, me Bashkimin Europian që mbetet partneri kryesor tregtar, duke përthithur rreth 58% të vlerës totale të eksporteve bujqësore. Sipas tij, struktura e eksporteve tregon qartë pikat e forta të sektorit, ku zarzavatet zënë peshën më të madhe si në sasi ashtu edhe në vlerë, të ndjekura nga peshku dhe produktet e detit.
“Kjo tregon se jemi në rrugën e duhur, sepse tregu i BE-së hapet vetëm kur ka standard, kontroll, dokumentacion dhe produkt të sigurt”, u shpreh ministri, duke theksuar rëndësinë e respektimit rigoroz të kërkesave europiane.
Në vijim, ai bëri të ditur se puna po zhvillohet paralelisht në disa drejtime strategjike, duke përfshirë përafrimin e plotë të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, me synim finalizimin e transpozimit ligjor deri në vitin 2027, si dhe konsolidimin e kontrollit zyrtar në nivel qendror dhe rajonal brenda vitit 2026. Një tjetër shtyllë kyçe, sipas ministrit Salla, është digjitalizimi i kontrollit ushqimor, i cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm dhe standardizim të të dhënave në kohë reale, në shërbim si të konsumatorëve, ashtu edhe të eksportuesve.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në rrjetin laboratorik, modernizimin e laboratorëve rajonalë dhe forcimin e pikave të inspektimit kufitar, të cilat janë thelbësore për rritjen e besueshmërisë së analizave dhe lehtësimin e procedurave të eksportit.
Ministri Salla rikujtoi se objektivi i strategjisë “Bujqësia 2030” është që eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliard dollarë amerikanë deri në fund të dekadës, duke nënvizuar se rritja e eksporteve kërkon domosdoshmërisht edhe rritje të investimeve. Për këtë arsye, përmes skemave kombëtare dhe së shpejti edhe nëpërmjet programit IPARD, do të mbështetet modernizimi i fermave dhe kapaciteteve të përpunimit.
Vetëm për vitin 2026, sipas ministrit, janë planifikuar rreth 2 miliardë lekë mbështetje për investime, me grante deri në 50% të vlerës së investimit, si dhe instrumente financiare përmes Fondit të Garancisë Sovrane për subjektet agropërpunuese, duke krijuar një paketë të integruar mbështetjeje për sektorin.
Në përfundim, ministri Andis Salla u bëri thirrje aktorëve të sektorit privat të investojnë në cilësi, certifikim dhe organizim, duke theksuar se eksporti është një proces afatgjatë. “Eksporti është maratonë, jo sprint”, u shpreh ai, duke nënvizuar se vetëm përmes bashkëpunimit mes shtetit dhe biznesit, Shqipëria dhe produkti “Made in Albania” mund të shndërrohen në një histori suksesi që lexohet në etiketë dhe provohet në treg.
