400 milionë fuçi nafte nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, nga të cilat 92 milionë fuçi kontribut i 20 vendeve të BE-së, mund të zgjasin rreth pesë muaj, sipas analistëve. Blloku mbështetet gjithashtu te rezervat në depozita.
Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po shtrëngon furnizimin global me rreth 12 milionë fuçi në ditë, Bashkimi Evropian po përpiqet të përballojë rritjen e faturave të energjisë dhe po u bën thirrje qytetarëve të kufizojnë përdorimin e makinave.
Niveli i alarmit në BE27 u rrit pasi Komisioneri për Energjinë, Dan Jørgensen, e zhvendosi fokusin nga çështja e çmimeve te rreziku për ndërprerje të furnizimit, pas një takimi urgjent të ministrave të energjisë më 31 mars.
Komisioneri danez paralajmëroi se nafta dizel dhe karburanti për avionë janë më të rrezikuar për mungesa për shkak të varësisë nga Lindja e Mesme, duke theksuar mundësinë e një “konflikti të zgjatur” dhe duke kërkuar “unitet mes vendeve të BE-së”.
BE konsumon rreth 10.5 milionë fuçi nafte në ditë, afërsisht 10% e kërkesës globale, me Gjermaninë (2.3 milionë fuçi), Francën (1.6 milionë) dhe Italinë (1.3 milionë) si konsumatorët kryesorë.
Blloku ka rezerva emergjente prej rreth 100 milionë fuçish, zakonisht një përzierje nafte bruto, dizeli dhe benzine, nga të cilat rreth 92 milionë u lëshuan më 11 mars si pjesë e një koordinimi të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për lirimin e 400 milionë fuçive.
Rezervat dhe depozitat si tampon
Rezervat mbahen nga qeveritë kombëtare, ndërsa Komisioni Evropian koordinon reagimin gjatë krizave për të siguruar një qasje të unifikuar. Ato vlerësohet të mbulojnë rreth 90 ditë importe neto, ose rreth 61 ditë konsum.
Franca (120 milionë fuçi), Gjermania (110 milionë) dhe Italia (76 milionë) janë mbajtëset kryesore të rezervave në BE, sipas të dhënave zyrtare.
Rezerva të mëdha ka edhe Spanja, ndërsa vende si Belgjika, Luksemburgu dhe Malta mbajnë sasi të konsiderueshme në vende të tjera të BE-së.
Njëzet nga 27 vendet anëtare kontribuuan në lirimin emergjent të koordinuar nga IEA, në total 91.7 milionë fuçi, ose rreth 20% e 400 milionë fuçive të lëshuara më 11 mars. Gjermania liroi 19.5 milionë fuçi, e ndjekur nga Franca (14.6), Spanja (11.6) dhe Italia (10).
Analistët e energjisë vlerësojnë se rezervat e lëshuara aktualisht mund të zgjasin rreth 5 muaj.
“Rezervat e lëshuara nga IEA tashmë po përdoren. Deri tani janë përdorur kryesisht brenda vendeve. Varet nga vendi, por po lirohen me një ritëm rreth 2.5 milionë fuçi në ditë, kështu që do të zgjasin rreth 160 ditë”, tha Homayoun Falakshahi nga Kpler.
Drejtori i IEA, Fatih Birol, tha më 1 prill se po shqyrtohet një tjetër lëshim rezervash strategjike, ndërsa edhe Komisioneri Jørgensen nuk përjashtoi një hap të tillë nëse situata përkeqësohet.
Depozitat dhe rezervat vendase
Përveç kësaj, depot e BE-së aktualisht mbajnë rreth 270 milionë fuçi nafte bruto, që përkthehen në rreth tre javë konsum pasi përpunohen në produkte si dizel, benzinë apo karburant avionësh.
Rezervat strategjike dhe përdorimi i inventarëve aktualisht mbulojnë rreth 6 milionë fuçi në ditë kërkesë, sipas Oxford Economics.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se këto mekanizma janë të kufizuar dhe humbasin efektivitet me kalimin e kohës, duke parashikuar një mungesë prej rreth 2 milionë fuçish në ditë.
“Në një skenar me konflikt të zgjatur me Iranin, hendeku mund të arrijë në rreth 13 milionë fuçi në ditë deri në muajin e gjashtë”, tha Bridget Payne nga Oxford Economics.
Ndryshe nga kriza e vitit 2022, që preku kryesisht gazin natyror pas humbjes së 40–45% të furnizimeve nga Rusia, situata aktuale po bëhet më e vështirë për shkak të mungesave të naftës.
Kjo ka shtyrë industrinë e naftës të rikujtojë ekzistencën e rreth 4 miliardë fuçive burime të pashfrytëzuara në Evropë.
“Nuk është çështja nëse na duhen apo jo, është e qartë që po. Zgjedhja është nëse do t’i prodhojmë vetë apo do të rrisim importet”, tha Nareg Terzian nga IOGP Europe.
Sipas tij, këto burime përbëjnë një “rrjet sigurie” për BE-në, krahas përpjekjeve për elektrifikim dhe rritje të eficiencës energjetike.
“Përtej Detit të Veriut, ka potencial për zbulime të reja në Mesdheun Lindor dhe Detin e Zi”, shtoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
