Nga Av. Ili Gërdupi për ekofin.al
Kur flasim për ndarjen e një cifti, përgjithësisht diskutimi përqendrohet tek aspekti emocional që e shkaktoj ndarjen, dhe se si do do përballohet ky aspekt. Pas tronditjes fillestare të ndarjes, fillojnë dhe shihen aspektet ekonomike të ndarjes, dhe si këto do prekin pjesëtarët e familjes në konsum, pasuritë e paluajtshme, dhe mirëqenie.
Krahas numrit të martesave gjithmonë e në rënie, raporti midis martesave dhe divorceve është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Ky zhvillim nuk është vetëm një tregues demografik, por edhe një thirrje për të kuptuar se pasojat e një divorci duhet të konsiderohen gjerësisht përpara se të vijohet me kërkesën në gjykatë. Nëse kur cifti është i martuar, të ardhurat, shpenzimet dhe kursimet administrohen në mënyrë të përbashkët, pas ndarjes krijohen dy ekonomi të pavarura, të cilat duhet të përballojnë të njëjtat nevoja me më pak burime.
Në praktikë, shumë çifte mbërrijnë në zyrën e avokatit për të filluar procedurën e ndarjes pasi marrëdhënia ka kohë që është konsumuar. Kjo vjen shpesh me detyrime financiare të përbashkëta si kredi bankare, investime në banesë, biznese familjare, automjete apo detyrime ndaj personave të tretë.
Proceset gjyqësore për zgjidhjen e martesës, ndarjen e pasurisë, pensionin ushqimor dhe kujdestarinë e fëmijëve kërkojnë angazhimin e gjykatave, avokatëve nga të dy palët, psikologëve kur ka fëmijë, dhe në disa raste, edhe të përmbarimit. Ndërsa mesatarja e ulët e tarifës së një avokati është 1000 euro, kjo shifër dyfishohet kur kemi parasysh se secila palë do angazhojnë një avokat të sajin. Nëse ka mugesë dakordësie mes palëve një pjesë çështjeve zgjasin me vite, duke rritur kostot nëse cështja apelohet.
Në mënyrë indirekte, kjo çon që volumi i cështjeve gjyqësore të rritet në një përiudhë kur gjykatat janë tashmë mbi kapacitet pas reformës në drejtësi.
Krahas avokatit, nëse çifti ka të paktën një fëmijë, gjykata është e detyruar të thërrasë një ekspert për të vendosur se ku do jetoj pas ndarjes fëmija dhe marrëdhëniet me prindërit. Kjo sjell pagesë shtesë për ekspertin shpesh në vlera midis 50.000 dhe 80.000 lekë të reja, dhe një pension ushqimor që prindi jo-kujdestar duhet ti japë prindit që kujdeset për fëmijën.
Të ardhurat që më parë mbështesnin një familje tashmë ndahen mes dy të tillave, duke ulur kursimet, investimet dhe konsumin për argëtim. Në vend që një familje të kursejë për blerjen e një banese apo për investime në arsim, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave kanalizohet drejt mbulimit të shpenzimeve bazë që divorci i rrit.
Këto llogari ndikojnë mjaftueshëm në uljen e standardit të jetesës me të cilin përballen fëmijët, duke u ndërprerë aktivitetet edukative, efekti i të cilave do reflektohet vite më vonë në kapitalin njerëzor.
Divorci nuk është vetëm fundi i një marrëdhënieje. Ai është edhe një ngjarje ekonomike që prodhon pasoja për familjen, biznesin dhe shtetin. Ajo nuk përbëhet vetëm nga tarifat e gjykatës apo honorarët e avokatëve, por edhe nga produktiviteti i humbur, konsumi i reduktuar, investimet e shtyra dhe presioni në rritje mbi sistemin gjyqësor. Humbje këto që asnjë formulë ekonomike nuk mund ti matë apo parashikojë me saktësi që nga momenti që divorci është finalizuar.
Prandaj, diskutimi mbi divorcin nuk duhet të kufizohet vetëm në aspektin juridik apo social. Ai duhet të jetë edhe pjesë e debatit ekonomik, sepse stabiliteti i familjes mbetet një nga faktorët që ndikon drejtpërdrejt në mundësitë ekonomike.
