Në 61 bashkitë e vendit ka hyrë në fuqi rritja e pagave që prej dates 1 shtator. Nga kjo rritje do përfitojnë kryetarët e bashkive, nënkryetarët, drejtorët dhe punonjësit e tjerë të pushtetit vendor.
Paga do rritet në përqindje të ndryshme për pozicionet e ndryshme. Konkretisht, për Bashkinë Tiranë kufiri minmal i pagës së kryetarit është 268 mijë lekë/ muaj dhe ai maksimal 318 mijë lekë në muaj. Për nënkryetarët e kësaj bashkie, kufiri maksimal arrin në 270 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me mbi 200 mijë banorë, paga për kryetarin varion nga 255 mijë lekë deri në 290 mijë lekë në muaj, ndërsa për nënkryetarin arrin deri në 255 mijë lekë në muaj.
Për bashkitë me një numër popullësie nga 50 mijë deri në 200 mijë banorë, paga për kryetarin arrin deri në 260 mijë lekë në muaj dhe nënkryetarin 205 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me numër popullësie deri në 50 mijë banorë, paga maksimale prek nivelin e 240 mijë lekë në muaj për kryetarin dhe 185 mijë lekë për nënkryetarin.
Po ashtu është përafruar niveli i pagave për pozicion për nënpunëist civilë në të gjitha bashkitë në vend, duke reduktuar hendekun që ekzistonte më parë për shkak të numrit të popullësisë që kanë bashkitë. Konkretisht pagat e specialistëve në të gjitha bashkitë fillojnë nga 40-80 mijë lekë/muaj. Në bashkitë e mëdha, për nivelin përgjegjës sektori arrijnë deri në 105 mijë lekë në muaj, për nivelin drejtor drejtorie arrijnë në 141 mijë lekë/muaj, drejtorët e përgjithshëm marrin deri në 170 mijë lekë në muaj dhe sekretari i përgjithshëm 205 mijë lekë në muaj.
Kjo rritje pagash i ka kushtuar buxhetit të shtetit një faturë vjetore prej 3miliardë lekësh.
