Gjatë muajit shtator, totali i depozitave ka vijuar trendin rritës, duke arritur në rreth 1.333 trilionë lekë nga 1.332 trilionë lekë që ishte në muajin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Rritja është e ndjeshme në depozitat në euro, me 0.5%, ndërsa ato në lekë shënuan rënie, nga 594 miliardë në gusht, në 591.7 miliardë. Megjithatë, me bazë vjetore, depozitat në lekë shënuan rritje me të paktën 9%. Depozitat në valutë të huaj vazhdojnë të dominojnë strukturën totale të depozitave, me 55.6% të totalit.
Depozitat në euro, që dominojnë strukturën totale të depozitave në valutë të huaj, në fund të shtatorit arritën vlerën e 8.06 miliardë eurove, në rritje vjetore me 12.1%.
Ulja e normave të interesit, sidomos gjatë këtij viti nga Banka e Shqipërisë nuk i bën shumë atraktive depozitat, megjithatë ato janë një formë investimi si nga qytetarët, ashtu edhe një pjesë e bizneseve.
