Buxheti i Bashkimit Europian për vitin 2027 do të arrijë në 199.7 miliardë euro në angazhime financiare dhe 211.5 miliardë euro në pagesa. Fondet do të përqendrohen te kohezioni, qëndrueshmëria, konkurrueshmëria, inovacioni, siguria dhe mbështetja për vendet partnere.
Këshilli i Bashkimit Europian dhe Parlamenti Europian kanë arritur marrëveshjen për buxhetin vjetor të BE-së për vitin 2027, i cili është gjithashtu buxheti i fundit vjetor në kuadër të Kornizës Financiare Shumëvjeçare 2021–2027.
Marrëveshja parashikon një buxhet prej 199.7 miliardë eurosh në angazhime financiare dhe 211.5 miliardë eurosh në pagesa. Përveç këtyre fondeve, 710.1 milionë euro do të mbeten të disponueshme brenda kufijve të shpenzimeve të kuadrit financiar shumëvjeçar aktual, për t’i dhënë Bashkimit Europian mundësi të përballojë nevoja të paparashikuara.
Sipas Këshillit të BE-së, buxheti i vitit të ardhshëm synon të garantojë financimin e politikave dhe programeve të miratuara, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetin e Unionit për t’iu përgjigjur krizave dhe sfidave të vazhdueshme, përfshirë situatën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe zhvillimet e papritura.
Negociatori kryesor i Këshillit për buxhetin e vitit 2027, ministri irlandez i Financave, Simon Harris, deklaroi se synimi është të gjendet ekuilibri mes aftësisë së BE-së për të vepruar në mënyrë vendimtare, për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe për të investuar në të ardhmen, pa krijuar barrë shtesë për buxhetet kombëtare dhe taksapaguesit.
“Burimet tona duhet të përqendrohen te nismat që sjellin rezultate konkrete, forcojnë qëndrueshmërinë tonë të përbashkët dhe mbrojnë atë që ka më shumë rëndësi për europianët: paqen, sigurinë dhe mirëqenien”, u shpreh Harris.
Ku do të përqendrohen fondet e BE-së?
Zëri më i madh i buxhetit do të jetë ai për kohezionin, qëndrueshmërinë dhe vlerat, me 75.76 miliardë euro në angazhime dhe 81.84 miliardë euro në pagesa.
Në vend të dytë renditen burimet natyrore dhe mjedisi, me 57.11 miliardë euro angazhime dhe 61.27 miliardë euro pagesa. Ndërkohë, tregu i përbashkët, inovacioni dhe dixhitalizimi do të përfitojnë 22 miliardë euro në angazhime dhe 22.85 miliardë euro në pagesa.
Shpenzimet për marrëdhëniet me vendet fqinje dhe pjesën tjetër të botës do të arrijnë në 15.53 miliardë euro në angazhime, ndërsa për administratën publike europiane janë parashikuar rreth 13.87 miliardë euro.
Më poshtë paraqitet ndarja e plotë e buxhetit të miratuar në nivel marrëveshjeje:
Angazhimet dhe pagesat, si ndryshojnë?
Në dokumentin e miratuar, Këshilli i BE-së bën dallimin mes angazhimeve financiare dhe pagesave. Angazhimet përfaqësojnë detyrime ligjore për financimin e aktiviteteve dhe projekteve, zbatimi i të cilave mund të shtrihet në disa vite financiare.
Ndërsa pagesat mbulojnë shpenzimet që rrjedhin nga këto angazhime, si për buxhetin e vitit aktual, ashtu edhe për angazhimet e ndërmarra në vitet e mëparshme.
Në raport me të ardhurat kombëtare bruto të BE-së, angazhimet për vitin 2027 përfaqësojnë 0.99%, ndërsa pagesat 1.05%.
