Nga Dalina Gjicali *, për ekofin.al
Leximi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 15/2019” evidenton dy çështje thelbësore: së pari, shtrirjen e konsiderueshme të ndërhyrjeve të propozuara; së dyti, nevojën e akumuluar për të përditësuar, zgjeruar dhe konsoliduar mekanizma që në kuadrin ekzistues kanë qenë të pjesshëm ose të shpërndarë në akte të ndryshme.
Shtatë vjet pas miratimit të ligjit fillestar, Shqipëria po synon të ndërtojë një sistem punësimi që të mos mbetet i kufizuar nga logjika administrative vendase, por të përafrohet realisht me standardet evropiane që vendi është angazhuar të zbatojë.
Për të vlerësuar rëndësinë e projektligjit, duhet analizuar fillimisht se çfarë nuk funksionoi në kuadrin ekzistues dhe mendoj se përgjigjja gjendet kryesisht te zbatimi. Përvoja e shtatë viteve të fundit ka treguar se shërbimi publik i punësimit nuk ka qenë në gjendje të ofrojë të njëjtin mbulim dhe cilësi shërbimi në të gjithë territorin. Zona të caktuara kanë mbetur jashtë vëmendjes së mjaftueshme institucionale, ndërsa kategori veçanërisht të ekspozuara si të rinjtë jashtë arsimit, punësimit dhe formimit profesional, si dhe personat me aftësi të kufizuara nuk janë identifikuar dhe mbështetur në mënyrë sistematike. Një mangësi tjetër strukturore ka qenë karakteri kryesisht reaktiv i sistemit. Institucionet ndërhynin pasi individi kishte hyrë në papunësi, ndërkohë që mungonin mekanizmat për identifikimin e hershëm të rrezikut dhe parandalimin e shkëputjes nga tregu i punës.
Ky projektligj synon t’u përgjigjet pikërisht këtyre dobësive dhe të zgjerojë aksesin si dhe ta orientojë sistemin drejt ndërhyrjes së hershme. Në këtë kuptim mendoj se përfaqëson një përpjekje serioze për ta bërë politikën e punësimit më gjithëpërfshirëse, më parandaluese dhe më të harmonizuar me praktikat evropiane.
Megjithëse projektligji përbën një hap të rëndësishëm evolues, vlera e tij përfundimtare nuk do të përcaktohet nga numri i dispozitave të ndryshuara, por nga aftësia e institucioneve për t’i shndërruar ato në shërbime konkrete, të matshme për çdo punëkërkues.
Garancia Rinore
Garancia Rinore është përfshirë në Ligjin nr. 47/2023, ndërsa projektligji aktual synon forcimin e zbatimit përmes planit dhe partneriteteve vendore. Ky mekanizëm, jo i ri për Evropën, për Shqipërinë mund të përbëjë një pikë kthese në mënyrën se si institucionet identifikojnë dhe mbështesin të rinjtë jashtë tregut të punës.Të rinjtë e kësaj kategorie, të njohur në dokumentet institucionale si JAPFP, përbëjnë një grup jo pak të konsiderueshëm.
Projektligji vendos një angazhim konkret që, brenda katër muajve, të riut duhet t’i ofrohet një mundësi për punësim, vazhdim arsimimi ose formim profesional.
Sfida kryesore, mendoj, qëndron te mënyra se si do të realizohet ky angazhim.
Projektligji parashikon partneritete ndërmjet bashkive, institucioneve arsimore, shërbimit social shtetëror, strukturave të punësimit dhe organizatave rinore.
Në teori, kjo strukturë ndërfunksionale është bindëse, por përvoja ime në fushën e zhvillimit të kapaciteteve tregon se koordinimi ndërinstitucional, veçanërisht në territore me kapacitete të pabarabarta, është ndër hallkat më të vështira të çdo reforme.
Edhe nëse ky mekanizëm arrin të funksionojë fillimisht me vetëm gjysmën e kapacitetit të synuar, ai do të përfaqësonte një përmirësim të prekshëm.
Detyrimet e punëkërkuesit dhe balanca e aktivizimit
Projektligji e trajton aktivizimin jo vetëm si detyrim të institucioneve për të ofruar mbështetje, por edhe si përgjegjësi të punëkërkuesit. Refuzimi i pajustifikuar i një oferte të përshtatshme pune ose i një mase aktivizimi, si dhe deklarimi i informacionit të rremë, mund të sjellin pezullimin ose heqjen e statusit.
Ky mekanizëm nuk është tërësisht i ri, pasi Ligji nr. 146/2015 parashikonte humbjen e statusit për refuzimin e ofertave ose të programeve. Projektligji aktual i konsolidon këto rregulla brenda Ligjit nr. 15/2019 dhe shfuqizon ligjin e mëparshëm. Në plan strategjik, kjo e bën më të qartë se aktivizimi mbështetet në reciprocitet, shteti ofron shërbime dhe mundësi, ndërsa punëkërkuesi duhet të bashkëpunojë.
Megjithatë, zbatimi kërkon kritere të qarta për kuptimin e “ofertës së përshtatshme” dhe të “refuzimit të pajustifikuar”, si dhe garanci procedurale për proporcionalitetin e masës dhe të drejtën e ankimit. Pa këto elemente, instrumenti i menduar për aktivizim mund të penalizojë individë që përballen me pengesa reale për punësim.
Kuotat dhe Fondi Social
Gjatë periudhës tranzitore, projektligji parashikon punësimin e një personi me aftësi të kufizuar për 125 punonjës. Në rast të mosplotësimit të kuotës, punëdhënësi duhet të derdhë çdo muaj në Fondin Social të Punësimit një kontribut të barabartë me 50% të pagës minimale për çdo vend të paplotësuar.
Në parim, e mbështes përdorimin e kuotave si instrument për nxitjen e përfshirjes në tregun e punës. Megjithatë, pragu prej 125 punonjësish më shtyn ta shoh me rezervë efektivitetin real të masës.
Projektligji e paraqet këtë si një regjim tranzitor deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Shumë kompani shqiptare kanë më pak se 125 punonjës dhe, për rrjedhojë, mund të mbeten jashtë zbatimit të këtij mekanizmi. Mbetet gjithashtu shqetësimi nëse punëdhënësit që përfshihen në skemë do të nxiten realisht të punësojnë apo do ta konsiderojnë kontributin financiar si alternativën më të lehtë.Pragu i lartë ndikon edhe te qëndrueshmëria e Fondit Social të Punësimit.
Paradoksi mbetet që nëse kuotat respektohen, të ardhurat nga kontributet bien dhe nëse punëdhënësit paguajnë në vend që të punësojnë, fondi siguron të ardhura, por objektivi i përfshirjes nuk realizohet. Prandaj, regjimi tranzitor duhet të shoqërohet me objektiva të matshëm dhe vlerësime periodike, si dhe me burime të tjera të qëndrueshme financimi.
Digjitalizimi
Observatori Kombëtar i Informacionit të Tregut të Punës dhe Pasaporta Digjitale e Punësimit janë instrumente të nevojshme për lidhjen e të dhënave mbi vendet e lira, kualifikimet dhe historikun e punësimit në një sistem të vetëm e të verifikueshëm.
Megjithatë, teknologjia nuk optimizohet nëse ende punojmë me një proces të dobët. Institucionet duhet të shkëmbejnë informacion në kohë dhe punëdhënësit duhet të raportojnë me saktësi që sistemi të prodhojë një pamje reale dhe përfaqsuese të tregut të punës.
Mendoj se sfida kryesore është cilësia e të dhënave dhe ndërveprimi institucional. Duhet të jetë gjithashtu e qartë se kush i administron të dhënat dhe si mund të korrigjohet informacioni i pasaktë.
Transparenca e pagave dhe raportimi
Një ndryshim tjetër me peshë është detyrimi i punëdhënësve për të deklaruar vendet e lira të punës dhe për të publikuar intervalin e pagës në çdo njoftim. Projektligji kërkon gjithashtu deklarimin dhe përditësimin e të dhënave për marrëdhënien e punës, ndërsa në rast largimi arsyeja dhe kontakti i punëmarrësit i transmetohen institucionit përgjegjës për punësimin.
Publikimi i intervalit të pagës mund të ulë asimetrinë e informacionit dhe të rrisë transparencën në rekrutim. Në të njëjtën kohë, raportimi i punësimeve dhe largimeve mund të përmirësojë cilësinë e të dhënave dhe t’i japë shërbimit publik mundësinë të ndërhyjë më herët, përpara se papunësia të zgjatet. Ky mekanizëm plotëson drejtpërdrejt instrumentet digjitale të parashikuara nga projektligji.
Vlera e tij, megjithatë, do të varet nga saktësia e raportimit, ndërveprimi i sistemeve dhe mbrojtja e të dhënave personale. Pa mekanizma efektivë verifikimi dhe zbatimi, detyrimi rrezikon të mbetet një procedurë formale, pa prodhuar transparencën dhe ndërhyrjen e hershme që synon.
Nxënësi punëmarrës dhe migrantët e kthyer
Ndër ndryshimet më të kufizuara në shtrirje, por jo më pak të rëndësishme, është përfshirja e nxënësit punëmarrës dhe e migrantëve të kthyer si përfitues të programeve aktive të tregut të punës.
Në rastin e nxënësit punëmarrës, projektligji njeh të rinjtë që ndjekin arsimin ose formimin profesional dual jo vetëm në kuptimin tradicional. Ata hyjnë në tregun e punës përmes një procesi të strukturuar mësimi dhe punësimi. Njohja e këtij statusi është një hap i nevojshëm për lidhjen e arsimit profesional me nevojat reale të tregut.
Përfshirja e emigrantëve ka ndodhur që në Ligjin nr. 15/2019; megjithatë, projektligji aktual zgjeron mbështetjen duke përfshirë shpenzimet e zhvendosjes ose riatdhesimit. Përfshirja e migrantëve të kthyer është po aq e rëndësishme për përvojën, aftësitë dhe njohuritë që ata sjellin në treg.
Mbetet për t’u parë nëse institucionet do t’u ofrojnë shërbime të përshtatura dhe mundësi konkrete ndërkohë që përfshirja e tyre e qartë në ligj është një pikënisje e rëndësishme.
EURES, infrastruktura e integrimit evropian
Lidhur me EURES, rrjeti evropian i shërbimeve të punësimit, projektligji krijon bazën institucionale dhe teknike për integrimin e Shqipërisë në këtë rrjet, duke i dhënë AKPA-së rolin e Zyrës Kombëtare Koordinuese dhe duke kërkuar ndërveprimin e sistemit shqiptar me atë evropian.
Vlera e këtij ndryshimi shkon përtej politikave të punësimit duke u fokusuar te përgatitja e administratës shqiptare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, përafrimi ligjor është vetëm hapi i parë, pasi integrimi në EURES kërkon sisteme teknike të ndërveprueshme, të dhëna të besueshme dhe punonjës të trajnuar për të zbatuar standardet dhe procedurat e rrjetit.
Prandaj, sfida e AKPA-së mbetet te aftësia për ta ushtruar rolin përtej përcaktimit të titullit formal.
Në tërësi, projektligji përfaqëson një hap serioz për ta fokusuar sistemin e punësimit drejt parandalimit, aktivizimit dhe lidhjes më të mirë me nevojat e tregut. Partneritetet vendore, digjitalizimi, mbështetja për kategoritë e veçanta dhe përgatitja për EURES krijojnë një sistem më të integruar, më të mbështetur në të dhëna dhe më të përafruar me kuadrin evropian.
Suksesi do të varet nga kapacitetet vendore, koordinimi ndërinstitucional, cilësia e të dhënave dhe financimi i qëndrueshëm.
Për këtë arsye, vlerësimi im për projektligjin është pozitiv, por i kushtëzuar nga zbatimi. Aktet nënligjore, afatet, përgjegjësitë institucionale dhe raportimi publik do të përcaktojnë nëse kemi përpara një reformë reale përtej një përafrimi formal.
* Drejtuese dhe partnere pranë EPPC Albania & Kosovo
