Agjencia e Inteligjencës Artificiale ka marrë 1632 raportime të aktivitete të dyshimta gjatë vitit 2024, ku në tipologjitë e skemave të mashtrimit janë përfshirë dhe zyrtarë të lartë.
Më konkretisht, shtetasi A ka qenë funksionar i lartë në disa institucione shtetërore për një periudhë 8-vjeçare dhe dyshohet se nëpërmjet familjarëve të tij ka fshehur pasuri të paluajtshme gjatë ushtrimit të detyrave, ku burimi i investimeve është i pajustifikuar.
Konkretisht shtetasja B, e motra e funksionarit A, në cilësinë e pronarit të një trualli, ka nënshkruar një aktmarrëveshje me shoqërinë X, sipas te cilës kjo shtetase vë në dispozicion të shoqërisë truallin, me qëllim zhvillimin e tij në këmbim të përfitimit të 22 apartamenteve.
Nga verifikimet të mëtejshme u konstatua se kjo aktmarrëveshje është nënshkruar pak kohë pasi shtetasja B si aksionere e vetme e shoqërisë X, i kishte shitur aksionet e saj palëve të treta. Një vit më pas shtetasja B, nënshkruan me shoqërinë X kontratën e sipërmarrjes, duke përcaktuar apartamentet që do të përfitojë pas ndërtimit të godinës dhe në të njëjtën kohë, nënshkruan një kontratë premtim – shitjeje për 10 apartamente, në vlerën 400.000 EUR, me shtetasin D, pa u specifikuar mënyra e pagesës.
Sërish në të njëjtin vit, e ëma e shtetasit A, shtetasja C pak kohë para nënshkrimit të kontratës së premtim-shitjes mes shoqërisë X dhe shtetases B, ka kryer depozitime të larta në cash, në llogarinë e saj bankare, në vlerë 300.000 EUR.
Nga analiza e detajuar financiare rezulton gjithashtu se, për periudhën vijuese 2-vjeçare, shtetasja C ka kryer depozitime të vazhdueshme, në llogarinë e saj, që arrijnë në vlerën 400.000 EUR.
Pesë vite pas largimit nga funksioni, shtetasi A pranon nga motra e tij dhurimin e truallit dhe të drejtat që rrjedhin prej zhvillimit të tij, duke u bërë kështu pronar i 22 apartamenteve.
Më tej në funksion të përmbushjes së kontratës së premtim shitjes ndërmjet shtetases B dhe shtetasit D, shtetasi A nënshkruan kontratën finale të shitjes së 10 apartamenteve me shtetasin D, sërish pa u përcaktuar mënyra e pagesës.
Nga analizimi i të dhënave të llogarive bankare rezultoi se shtetasi A ka përfituar nga nëna e tij, disa transferta në vlerën totale prej 350.000 EUR, sipas një kontratë dhurimi. Vlerat e përftuara, janë përdorur më tej për investime të tjera në pasuri të paluajtshme.
Raporti thekson se duke marrë në konsideratë përdorimin e familjarëve të ngushtë për kryerjen e investimeve të larta në pasuri të paluajtshme dhe kamuflimin e këtyre transaksione përmes shitjes së aksioneve dhe dhurimit, nga një funksionar i lartë rasti është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit, për të cilin më pas janë ngritur akuza për pastrim parash. /Ekofin.al
