Të dhënat nga Raporti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se Banka e Shqipërisë ka licencuar një numër të konsiderueshëm zyrash të këmbimit valutor gjatë vitit 2023, më saktë 52 të tilla.
Deri në fund të vitit 2023 të kaluar numëroheshin 11 banka, 39 subjekte financiare jobanka, 621 zyra të këmbimit valutor, 16 shoqëri të kursim-kreditit dhe 1 union i shoqërive të kursim-kreditit.
Dy zyrave të këmbimit valutor u është hequr licenca si pasojë e mungesës së rregulloreve për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërkohë që në 17 prej tyre janë ndërmarrë masa administrative lidhur me këtë çështje.
Sa i takon bankave të nivelit të dytë, Banka Qendrore ka miratuar zgjerimin e rrjetit të bankave me 1 degë të re brenda Shqipërisë dhe 1 degë të re jashtë territorit të vendit tonë, si dhe ka autorizuar 1 bankë për ushtrimin e veprimtarisë financiare shtesë si ndërmjetës ose agjent në sigurime.
