Shumica dërrmuese e vendeve të Bashkimit Evropian mbështeten në shërbime “cloud” amerikane për agjencitë e tyre të mbrojtjes, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të një “kill switch” – ndërprerje e menjëhershme e shërbimit, sipas një analize të re.
Instituti me bazë në Bruksel, Future of Technology Institute (FOTI), thekson se shumica e vendeve europiane varen nga kompanitë teknologjike amerikane për aplikacionet e mbrojtjes kombëtare, qoftë përmes marrëdhënieve direkte, qoftë përmes kontraktorëve europianë që përdorin infrastrukturë “cloud” amerikane. Ky varësi krijon rrezikun që SHBA të kërkojë akses në të dhëna përmes thirrjeve ligjore ose të vendosë sanksione ndaj ofruesve të “cloud”-it.
Presidenti i SHBA mund të kërkojë të dhëna sipas ligjit CLOUD Act, miratuar gjatë mandatit të parë të Donald Trump. Sipas analizës, 16 vende europiane janë në rrezik të lartë nga një skenar i tillë: Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ndërkohë, 7 vende të tjera konsiderohen me rrezik mesatar, pasi kanë ekspozim indirekt ndaj infrastrukturës amerikane përmes kontraktorëve europianë: Belgjika, Franca, Greqia, Italia, Luksemburgu, Spanja dhe Holanda.
Drejtoresha ekzekutive e FOTI, Cori Crider, theksoi se një mekanizëm i tillë është përdorur në vitin 2025, kur Microsoft bllokoi llogaritë e kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, pas vendosjes së sanksioneve nga administrata Trump. Një rast tjetër lidhet me kompaninë Maxar Technologies, e cila kufizoi aksesin e Ukrainës në imazhe satelitore pasi SHBA ndaloi ndarjen e inteligjencës.
Sipas studiuesve, rreziku nuk është më teorik: “Është një rrezik real dhe i afërt që Europa nuk mund ta injorojë më”.
Analiza nuk arriti të përcaktojë nivelin e ekspozimit për Bullgarinë, Qipron, Maltën dhe Suedinë për shkak të mungesës së të dhënave.
Studimi shqyrtoi kontrata publike mbi 143,000 euro dhe referenca në faqet e mbrojtjes për terma si “cloud”, “Microsoft”, “Google”, “Amazon Web Services” dhe “Oracle”. Microsoft rezulton ofruesi më i madh i “cloud”-it për mbrojtjen europiane, me përdorim në 19 vende, ndërsa edhe Google dhe Oracle kanë kontrata në këtë sektor.
Vendet me rrezik të lartë mbështeten drejtpërdrejt në shërbime që nuk janë “air gapped” – pra nuk janë të shkëputura fizikisht nga rrjeti global – dhe për këtë arsye varen nga përditësimet dhe mirëmbajtja e ofruesve amerikanë. Një vlerësim suedez sugjeron se softueri mund të funksionojë deri në 30 ditë pas vendosjes së sanksioneve, përpara se licencat të skadojnë.
Në vendet me rrezik mesatar, sistemet “cloud” ndërtohen nga kompani europiane, por mbi infrastrukturë amerikane. Për shembull, në Holandë, teknologjia aktuale “cloud” është ndërtuar nga kompani amerikane, edhe pse nuk operohet drejtpërdrejt prej tyre.
Studiuesit e konsiderojnë analizën si një vlerësim konservator, pasi shumë kontrata janë të klasifikuara dhe të vështira për t’u identifikuar.
Austria rezulton i vetmi vend që ka nisur një shkëputje të gjerë nga ofruesit amerikanë, duke kaluar drejt alternativave open-source si NextCloud dhe LibreOffice, ndërsa forcat e armatosura kanë zhvendosur rreth 16,000 stacione pune jashtë Microsoft Office.
Holanda shihet si një kandidat potencial për zhvillimin e një “cloud”-i sovran europian në fushën e mbrojtjes, pasi ka nisur bashkëpunim me kompaninë KPN dhe kontraktorin francez Thales për ndërtimin e një infrastrukture pa varësi nga SHBA.
Ndërkohë, kompanitë amerikane si Amazon, Google dhe Microsoft kanë prezantuar variante të ashtuquajtura “cloud sovran” në Europë, duke premtuar ruajtje dhe kontroll lokal të të dhënave. Por sipas ekspertëve, këto iniciativa mund të jenë “sovranitet i rremë”, pasi në rast sanksionesh kompanitë nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë përditësime dhe mbështetje teknike.
FOTI ka kontaktuar këto kompani për komente, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
