Në kuadër të 42 vjetorit të vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Japoni, Kryeministri Edi Rama në datat 21 deri 25 shkurt do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tokyo. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tokyo, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh, në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimeve mes dy shteteve, duke rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera. Dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta lidhur me kujdesin shëndetësor dhe social, parandalimin e fatkeqësive, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Shqipëria dhe Japonia ndajnë vullnetin për të zhvilluar më tej interesat e përbashkëta, duke rritur shkëmbimet kulturore, veçanërisht në fushën e turizmit dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.