Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, procedura për mbylljen e platformës së TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart.
Në rubrikën “Sy m’ sy”, ku i përgjigjet live pyetjeve të adresuara në platformat sociale, Rama u shpreh se, “të gjithë duhet ta dinë se mënyra për t’iu shmangur bllokimit duke përdorur të ashtuquajturat VPN falas është shumë e rrezikshme, pasi dihet botërisht se përmes VPN-ve falas hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit”.
“Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok ca kohë deri kur të përfundojmë edhe programin e përbashkët me kompaninë TikTok, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri dhe do të paraqesë planin e rritjes së sigurisë për fëmijët dhe adoleshentët, në mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur, edhe kompania, edhe prindërit, edhe fëmijët, edhe mësuesit, edhe ne”, tha Rama.
Tik Tok në Shqipëri është një platformë me mbi 1 milionë përdorues, gjerësisht në funksion edhe për biznes. Vendimi për mbylljen e TikTok u mor nga qeveria në dhjetor të vitit 2024 pas një fushate të gjerë konsultimesh, e cila përfundoi me mbështetjen masive të prindërve për mbylljen e platformës. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tij pak metra larg shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
Vendimi i qeverisë për të mbyllur TikTok do të jetë në fuqi të paktën derisa kompania të garantojë siguri për fëmijët.
